Shqipëri

“Mbush zyrat e shtetit me trafikantë e kriminelë”, Meta thirrje qytetarëve

Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga tubimi i 2 marsit, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka sjellë shembullin e Presidentit rumun i cili iu bashkua protestave masive për të mbrojtur Kushtetutën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se “nuk ka vend në Europë ku një dorë e vetme, pasi kalon ligj pas ligji anti-kushtetuese, mbush zyrat e shtetit me trafikantë e kriminelë dhe ngre celula mafioze në krye të ministrisë së Drejtësisë, me qëllim për të kapur edhe drejtësinë.”

Presidenti i ka ftuar përsëri qytetarët shqiptarë që më 2 mars t’i bashkohen tubmit kundër grushtit të shtetit dhe të mbrojnë Kushtetutën.

Reagimi i plotë

Kujtoj se vetëm 3 vite më parë, Presidenti i Rumanisë mike, vend anëtar në NATO dhe në Bashkimin Europian, doli në protestë në mbrojtje të shtetit ligjor dhe kundër dhunimit të Kushtetutës nga një mazhorancë dhe Parlament plotësisht kushtetues.

Presidenti rumun ju bashkua protestave të mëdha popullore kundër korrupsionit, arbitraritetit, vendimeve të marra në errësirë, ndryshimeve mafioze të legjislacionit në fuqi nga deputetët legjitimë, por në konflikt të hapur interesi, si dhe pastrimit të politikës nga kriminelët.

Për të gjithë ata që bëjnë sikur harrojnë, po u sjell në vëmendje rastin e freskët të këtij shteti anëtar të NATO-s dhe BE-së, ku Presidenti dhe populli protestuan së bashku kundër qeverisjes së mbrapshtë.

Nuk ka vend në Europë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë që prej dy vitesh.

Nuk ka vend në Europë ku një dorë e vetme, pasi kalon ligj pas ligji anti-kushtetuese, mbush zyrat e shtetit me trafikantë e kriminelë dhe ngre celula mafioze në krye të ministrisë së Drejtësisë, me qëllim për të kapur edhe drejtësinë.

Nuk ka vend anëtar të NATO-s, ku korrupsioni shkatërron çdo ditë ekonominë, ku mungon totalisht llogaridhënia në çdo nivel dhe ku është asgjesuar balanca e pushteteve.