Kamberi: Nuk besoj në marëdhëniet e fqinjësisë së mirë të Kosovës dhe Serbisë, për sa kohë që shqiptarët në Luginën e Preshevës janë në situatën që ata gjenden tani
Kryetari i komunës së Bujanocit Shaip Kamberi nuk beson në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë për sa kohë që shqiptarët në Luginën e Preshevës janë në situatën që ata gjenden tani, transmeton Ministria Lajmeve.
I pari i Bujanocit beson se është momenti i fundit për të përfshirë përfaqësuesit e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës në dialogun Beograd-Prishtinë.
“Për të hequr të gjitha pengesat që ekzistojnë midis dy shteteve dhe dy kombeve, Lugina e Preshevës është e nevojshme dhe se duhet të jetë patjetër temë dialogu mes palëve” – thotë ai.
Sipas tij, udhëheqësit e dialogut duhet të vendosin nëse do të jetë teknikisht e mundshme që ndonjë prej shqiptarëve të Luginës të marrë pjesë në të.
“Por ajo që është e nevojshme dhe që është në minutën e fundit është qe ne duhet të trajtojmë Luginën e Preshevës në dialog me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme, afatgjatë dhe të ndërtimit të stabilitetit”, tha Kamberi për Lajmi.net.
Kryetari i Bujanocit dhe i partisë më të madhe shqiptare në Serbi – Partia për Veprim Demokratik (PVD), thotë se nuk beson në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të Serbisë dhe Kosovës, përveç nëse ndryshon situata e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Siç tha ai, shqiptarët po përballen me një largim masiv nga këto zona, duke shkatërruar kështu thelbin kombëtar shqiptar, që është një problem që duhet të adresohet në bisedime.
Kujtojmë se dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2019 pasi qeveria Ramush Haradinaj vendosi një taksë prej 100 përqind të importeve të mallrave nga Serbia. Sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, ka indikacione se dialogu do të vazhdojë pasi të jetë qetësuar situata me virusin koronar.