Kamberi: BE-ja të nisë hetim për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë
Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi, përshëndeti fjalimin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj në OKB, ku ngriti çështjen e pasivizimit të adresave dhe mos-respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë nga pala serbe.Kamberi theksoi se ajo që duhet të bëjë diplomacia shqiptare është që çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të vendoset si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Ai theksoi se ashtu sikundër Kosovës i është vendosur kusht Asociacioni për proceset integruese, ashtu edhe Serbisë duhet t’i vendoset respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
“Kjo është ajo që do duhet të bënin autoritetet e Republikës së Shqipërisë për çështjen e pasivizimit dhe mos-respektimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Deklarata e presidentit Begaj në OKB është e mirëseardhur. Edhe pse çështja e pasivizimit të vendbanimeve do të duhej të nxitej akoma më shumë që të bëhej një lloj kushti për anëtarësimin e Serbisë në BE. Sepse fatkeqësisht ashtu si marrëveshjet që ka Serbia për Luginën e Preshevës ashtu edhe pasivizimi i adresave nuk është pjesë e kushteve të Serbisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo ishte një shteg i mundshëm që diplomacia shqiptare edhe ajo kosovare që çdo herë e më shumë të shtynin këtë çështje që pasivizimi i vendbanimeve të bëhej kushtëzim nga na e BE-së ashtu siç po ndodh me Asociacionin”, tha ai në “Euronews Albania”.
Ndër të tjera, ai kërkoi nga BE-ja që të nisë një hetim në lidhje me çështjen e pasivizimit të adresave në Luginë dhe çregjistrimin e shqiptarëve që banojnë në këtë zonë.