Januzaj nuk po e kupton arsyen pse nuk po ftohet nga Belgjika
Adnan Januzaj është i shqetësuar me faktin se ka kohë që nuk po ftohet nga përzgjedhësi i Përfaqësueses së Belgjikës. Në fakt, ai thjesht nuk po e kupton arsyen se pse nuk ka marrë ftesë për më shumë se një vit.
Futbollisti i Real Sociedadit insiston se meriton të jetë pjesë e Belgjikës pas paraqitjeve dhe formës së mirë që po e tregon me fanellën e ekipit spanjoll, ka shkruar “Mundo Deportivo” të dielën.
Januzaj, 25-vjeçar, herën e fundit ishte ftuar nga Belgjika në tetor të vitit të shkuar duke e përcjellë nga banka e rezervistëve fitoren e Përfaqësueses belge ndaj Kazakistanit (2:0) në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2020”. Januzaj prej dhjetë ndeshjeve të zhvilluara të Belgjikës në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm, ishte ftuar në shtatë, derisa ka luajtur vetëm në dy prej tyre. 33 minuta i pati me Qipron dhe 55 minuta u aktivizua ndaj San Marinos. Ai beson se ka merituar të ftohet këtë vit dhe është i bindur se mund të bëjë dallimin në një ekip të mbushur me lojtarë të mirë.
“Sinqerisht, nuk e kuptoj arsyen që nuk po ftohem për të luajtur te Belgjika dhe kjo po më shqetëson shumë. Mund të them se këtë vit e kam merituar të jem pjesë e ekipit pas paraqitjeve te Real Sociedadi dhe jam plotësisht i bindur se mund të jap kontribut të madh bazuar në cilësitë që i posedoj”, është shprehur Januzaj, që luan si sulmues krahu.
“Të gjithë futbollistët e kanë nga një periudhë të keqe, por te Belgjika ka lojtarë që po ftohen kohët e fundit edhe pse janë totalisht jashtë formës”.
Januzaj ka debutuar me Belgjikën në vitin 2014 dhe deri më tash ka shënuar një gol në 12 paraqitje. Ai prej verës së vitit 2017 është pjesë e Real Sociedadit, ekip në të cilin së fundi është shndërruar në një ndër lojtarët kryesorë. Këtë edicion Sociedadi është në pozitat e kreut në La Liga derisa Januzaj për ekipin bask ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim në 14 paraqitje në të gjitha garat. Ai me Sociedadin ka kontratë deri në vitin 2022. Megjithatë, Januzaj ka paralajmëruar se do të vazhdojë me lojëra të mira te ekipi spanjoll nëpërmjet të cilave beson se vitin tjetër do të kthehet te Belgjika.
“Gjendem në një situatë të pakëndshme, por nuk e kam ndërmend të dorëzohem, sepse ka tetë vjet që jam futbollist profesionist. Herët a vonë do ta bind trajnerin me ndeshjet te Sociedadi. Natyrisht që jam paksa i dëshpëruar për shkak se mendoj që tashmë jam lojtar i konfirmuar mjaftueshëm për t’u ftuar rregullisht te Belgjika”, ka shtuar Januzaj. “Për mua është e rëndësishme të vazhdoj me këtë formë dhe ta ndihmoj Sociedadin këtë edicion të ketë sukses si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Evropës”.
Para se t’i bashkohet Sociedadit, Januzaj ka luajtur edhe te Manchester Unitedi, Sunderlandi e Borussia Dortmundi. Aktualisht Januzaj është i lënduar.