Lajme

Jamie Shea: Vuçiqi s’mund të qëndrojë ulur në dy karrige, duhet të vendosë mes Perëndimit e Rusisë

Ish zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, deklaroi se Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të rreshtohet kah Bashkimi Evropian apo nga Rusia.

Shea, që ishte zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës në Kosovë, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më nuk e ka opsionin të qëndrojë ulur në dy karrige.

Ai ka thënë se pas pushtimit rus të Ukrainës, Perëndimi dhe Rusia janë larguar dukshëm më tepër.

Shea thotë se do të ishte më mirë që Serbia të rreshtohej nga Perëndimi, pasi ofron një të ardhme më të mirë ekonomike dhe zhvillim demokratik.

“Serbia së fundi ka mbajtur zgjedhje dhe ka fituar bindshëm presidenti Vuçiq. Serbia ka lidhje shumë të forta ekonomike me BE-në, ndërsa me Rusinë ka një histori të gjatë të bazuar në idenë e pansllavizmit. Pushtimi i Ukrainës nga Putini ndryshoi gjërat. Vuçiq duhet të kuptojë se Perëndimi dhe Rusia do të largohen gjithnjë e më shumë për shkak të luftës në Ukrainë dhe nuk do të jetë më e mundur të ulesh në dy karrige. Ai do të duhet të zgjedhë. Vuçiqi thuhet se do të vendosë këtë në gjashtë javët e ardhshme. I takon atij të vendosë. Besoj se Serbia duhet të vendosë për BE-në, e cila ofron një të ardhme më të mirë ekonomike dhe zhvillim demokratik”, tha Shea në një intervistë për Index.hr.

Shea vlerëson se Bashkimi Evropian e ka kuptuar rrezikun e ndikimit rus në Ballkan Perëndimor dhe po shihet një angazhim më i madh i BE-së në rajon.

“BE-ja më në fund e ka kuptuar se kjo është një temë e rëndësishme. Politika e kaluar ishte e keqe, e vuri të gjithë përgjegjësinë për anëtarësimin mbi kurrizin e vendeve të rajonit, BE-ja duhej të ndihmonte këtu më shumë dhe të ishte më aktive për të ndihmuar transformimin. Tash kemi sërish më shumë aktivitet, shohim që kancelari gjerman Olaf Scholz organizoi një takim mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, pati një turne të madh në rajon. I dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, është gjithashtu aktiv. Perëndimi tregon se Ballkani është sërish i rëndësishëm. BE-ja duhet të zhvillojë një qasje më fleksibile dhe t’u sigurojë disa vendeve kandidate disa përfitime nga anëtarësimi, veçanërisht në aspektin ekonomik. Pra, procesi i anëtarësimit do të ishte gradual, për të shkuar në atë rrugë drejt integrimit. Disa në Bruksel mendojnë se është e nevojshme të ndryshohen traktatet bazë të BE-së”, tha Shea.