Lajme

Hoxhaj flet për bashkëpunim mes PDK’së dhe VV’së: Mund ta fuqizojnë vendin

Nënkryetari i PDK’së Enver Hoxhaj u është përgjigjur zërave që flasin për një bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Deri më tash nuk ka pasur një bashkëpunim në mes të PDK’së dhe VV’së. Ndoshta për shkak të faktit që ne kemi qenë në opozitë dhe nuk ka qenë një opozitë e zakonshme por ka qenë një opozitë e dhunshme në jetën tonë politike. Mandej pas 6 tetorit ata e formuan qeverinë dhe ne ishim ne opozitë”, tha Hoxhaj.

Thotë se aktualisht nuk ka bashkëpunim, por nuk e përjashton mundësinë që dy parti konfrontuese mund të plotësojnë njëra tjetrën.

“Ndoshta për shkak të asaj që jemi dy parti të ndryshme. Deri më tash nuk ka bashkëpunim. A mund të ketë në të ardhmen bashkëpunim do të shihet. Bashkëpunimi mes VV’së dhe PDK’së do të ishte një bashkëpunim jo i zakonshëm për shkak se jemi të ndryshëm, kemi pasur qasje konfrontuese”, tha Hoxhaj për rtv21.

“Do të ishte e barabartë sikurse në kozmologjinë kineze ai ‘Jing-Jang’ e bardha me të zezën që nënkupton që dy parti të cilat janë konfrontuese, kundërshtuese mund ta kompletojnë njëra-tjetrën dhe në ndërlidhje dhe në ndërvartësi ta bëjmë të fuqishëm vendin dhe njëra-tjetrën nëse gjejnë një gjuhë të bashkëpunimit. Por nuk besoj që kjo është e mundur në vitin 2020. Ku do të jemi më 2021 apo 2022 janë tema për të cilat nuk mund të përgjigjem sot meqë çdo ditë është e re dhe në përputhje me rrethanat mund të ndryshojnë edhe qëndrimet. Tash jemi kogjo larg”, theksoi Hoxhaj.