Gjilan: Babai arrestohet pasi shiti beben në Preshevë
Prokuroria Themelore në Gjilan sot ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit R.F., pasi dyshohet të ketë kryer veprat penale, ‘’Trafikimi me njerëz’’ dhe ‘’Fshehja e dokumentit të identifikimit të viktimave të skllavërisë ose trafikimit me njerëz’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria thotë në një komunikatë se për këtë rast ka filluar hetimet edhe ndaj të dyshuarës R.A., pasi që dyshohet se në bashkëveprim me të dyshuarin R.F., ka kryer veprat e lartshënuara penale.
“Ekziston dyshimi i bazuar se, që nga muaji maj 2003, deri më 4 mars 2019, në Gjilan, i dyshuari R.F., me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, ka trafikuar fëmijën e porsalindur të ish bashkëshortes së tij – të dëmtuarës N.A., në atë mënyrë që pasi e njëjta, kishte lindur në Spitalin Regjional në Gjilan, i dyshuari pa pëlqimin e saj ia kishte dhënë fëmijën, një çifti nga komuna e Preshevës – të dyshuarës R.A. dhe të ndjerit R.A.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjithashtu, të dyshuarit R.F. dhe R.A., me qëllim të përfitimit material kanë falsifikuar dokumentet në regjistrin e lindjes së fëmijëve, në Spitalin Regjional në Gjilan, ku si nënë biologjike të fëmijës e kanë regjistruar të dyshuarën R.A.