Fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginë, Ragmi Mustafa: Spastrimi etnik ka filluar para pesë vitesh
Shqipëria dhe Kosova përmes dy ministrave të Jashtëm si Gent Cakaj dhe Meliza Haradinaj-Stublla kanë bërë përgjegjëse Serbinë për fshirjen e të dhënave të shqiptarëve që jetojnë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, ka folur për këtë çështje të ndjeshme në emisionin “BalkanTalks” në Euronews Albania. Ai tha se partitë shqiptare e kanë ngritur zërin për këtë “spastrim”, që po synon të kryejë Serbia kundrejt shqiptarëve.
“Zëri i politikës shqiptare në Luginë të Preshevës nuk ka munguar në asnjë çast kohor prej ditëve të para, që është filluar me këtë tendencë të spastrimit etnik modern nga ana e organeve qeveritare të Republikës së Serbisë. Ka pasur iniciativë të spastrimit etnik nga qeveria e Serbisë, nga “Ministria e Brendshme” në 5 vite për t’ia pamundësuar shqiptarëve autoktonë që të vijnë me dokumente personale”,- tregon zoti Mustafa.
Për të frenuar këtë veprimi nga ana e Serbisë, z. Mustafa thotë se Shqipëria dhe Kosova duhet ta çojnë çështjen në Këshillinin e Sigurimit në OKB.
“Fatkeqësisht po edhe në këto kushte dhe rrethana ku Beogradi paraqitet i qytetëruar më qëllimin kryesor të saj që të marri dritën jeshile për hyrjen në Bashkimin por të gjitha këto janë përpjekje mashtruese të qeverisë serbe. Prandaj, kjo formë e moderuar duhet ngritur në organe më të larta dhe prandaj propozoj që dy ministrat e jashtëm I Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës të ngrenë këtë çështje përfundimisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thotë Ragmi Mustafa.
Sipas zotit Mustafa, nëse kjo do t’iu kishte ndodhur serbëve në Kosovë, Beogradi zyrtar deri tani do të kishin mbajtur me dhjetëra seanca në Këshillin e Sigurimit.