Të fundit

Është shpallur tenderi për ndërtimin e gypit të ujësjellësit nga fshatit Zhunicë deri tek rezervuari i qytetit

Pas një pune intensive të stafit të komunës së Preshevës dhe përfaqësuesve të organizatës UNOPS, tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike dhe administrative për realizimin e punimeve në ndërtimin e gypit kryesor nga bunaret në fshatin Zhunicë në drejtim të rezervuarit të qytetit, për të cilin dhe është shpallur prokurimi publik.

Me qenë se përqindja më e madhe e financimit mbulohet nga Mbretëria Norvegjeze nëpërmjet organizatës UNOPS, sipas kushteve të bashkëpunimit, prokurimi për këtë projekt do të udhëhiqet nga përfaqësuesit e organizatës UNOPS.

Deri më tani, në kuadër të fazës së parë të Master planit për furnizim me ujë të komunës së Preshevës, nga stafi i Drejtorateve të komunës së Preshevës janë realizuar një mori aktivitetesh, duke filluar që nga përgatitja e projektit ideor, projektit urbanistik, sigurimi i kushteve të lokacionit, hartimin e projektit për lejen e ndërtimit dhe atë të ekzekutimit, kërkesat në Qeverinë e R. së Serbisë për shpalljen e interesit të përgjithshëm, realizimi i eksproprijimit të përkohshëm, sigurimin e kushteve teknike dhe pëlqimeve nga ndërmarrjet publike (EPS, Srbija Vode, Železnice Srbije, Telekomi, Moravica etj.), ku tashme dhe janë kryer të gjitha këto aktivitete, që mundësojnë realizimin e këtij projekti gjigant dhe kaq domethënës për zonën e poshtme të qytetit që furnizohet me ujë nga bunaret në fshatin Zhunicë.

Procedura e prokurimit do të zgjasë nga data 14 deri më 30 shtator, kur dhe do të hapen ofertat, për të filluar dhe realizimi në terren i këtij projekti.

Sipas projektuesit, shuma e paraparë për realizimin e këtij projekti kapë vlerën prej 115 milion dinarëve, nga të cilat Komuna e Preshevës do të marrë pjesë me 43 milion dinarë, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Mbretëria Norvegjeze nëpërmjet organizatës UNOPS.

Komuna e Preshevës falënderon Mbretërinë Norvegjeze për mbështetjen në realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për komunën tonë, poashtu dhe përfaqësuesit e organizatës UNOPS për kontributin profesional, për realizimin e përgatitjeve të deritanishme lidhur me këtë projekt.