Bota

Ekonomia e Eurozonës me rënie drastike prej COVID-19

Ekonomia në eurozonë është tronditur nga kriza e koronës. Spanja dhe Portugalia kanë marrë goditjet më të forta. Por edhe dy ekonomitë më të mëdha të Eurozonës u goditën.

Ekonomia në zonën e euros ishte goditur që para krizës së Coronas, tani ajo ndodhet thellësisht në recesion. Prodhimi i Brendshëm Bruto(PBB)ra me 12.1 përqind në pranverë.

Prodhimi ekonomik në zonën e Euros ka pësuar në tremujorin e dytë të këtij viti rënien më të madhe në 25 vjet, për shkak të krizës së Coronas. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), d.m.th., vlera e të gjitha mallrave dhe shërbimeve që prodhohen në 19 vendet e bashkësisë brenda një viti, ra me 12.1 përqind midis prillit dhe qershorit në krahasim me tremujorin e mëparshëm, bëri të ditur Eurostat, Zyra Evropiane e Statistikave. Kjo është rënia më e madhe që nga fillimi i 1995.

Rënia pasoi një rënie të konsiderueshme të prodhimit ekonomik në tremujorin e parë: midis janarit dhe marsit, PBB në zonën e euros ra me 3.6 përqind. Ekonomia e eurozonës ka vuajtur nga masat për të kufizuar pandeminë e koronës që nga marsi.

Dje u njoftua se Prodhimi i Brendshëm Bruto në Gjermani ra me 10.1 përqind në tremujorin e dytë. Franca, ekonomia e dytë më e madhe në zonën e euros, është goditur edhe më rëndë, me një rënie prej 13.8 përqind të PBB-së. Sidoqoftë, ekspertët kishin parashikuar një rënie edhe më të madhe, sepse ishin marrë masa të rrepta për shkak të Corona-s, veçanërisht midis prillit dhe qershorit. Franca është një nga vendet në Evropë që është goditur veçanërisht nga pandemia.

E njëjta gjë vlen edhe për Italinë. Në ekonominë e tretë më të madhe në Evropë, PBB ra me 12.4 përqind. Megjithëse Zyra e Statistikave Instat në Romë foli për një “rënie ekonomike të pashembullt”, parashikimet e shumë ekspertëve dëshmuan se ishin tepër pesimiste: ekonomistët patën pritur një mesatarisht një rënie prej 15.0 përqind.

Spanja është veçanërisht e goditur

Gadishulli Iberik është veçanërisht i prekur. Spanja ra në recesionin më të thellë në historinë e saj. Këtu, PBB ra me 18.5 përqind në pranverë në krahasim me tremujorin e parë. Po të marrësh si bazë vlerën e vitit të kaluar, madje ka një rënie prej 22.1 përqind. Sektori i rëndësishëm i turizmit në veçanti është i paralizuar në shumë vende. Midis prillit dhe qershorit, në shumë sektorë humbën një milion vende pune – më shumë se kurrë në një tremujor. Vetëm me pak ndryshim janë shifrat që vijnë nga Lisbona: në Portugali, PBB ra me 14.1 përqind.

Rënia e PBB ishte relativisht e butë në Lituani, me minus 5.1 përqind dhe në Letoni me minus 7.5 përqind.

Qeveritë evropiane u përpoqën ta qetësonin krizën e Coronas me pakte masive ekonomike. Liderët e BE kohët e fundit ranë dakord për një paketë ndihme prej 750 miliardë dollarësh për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike. Ekonomistët dyshojnë që kjo është e mjaftueshme – veçanërisht po të ketë një valë të dytë infektimesh.

Pasojat e krizës janë të dukshme edhe matanë Atlantikut. Kombi më i fortë ekonomik në botë është i dëmtuar si rrallë: të enjten, SHBA njoftuan një rënie prej 32.9 përqind të PBB-së për tremujorin e dytë – llogaritur për vitin e plotë. Sipas metodës së zakonshme të raportimit në Evropë, kjo do të korrespondonte me një rëmie prej gati 10 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto./ DW