Deputeti popullor Argjend Bajrami sot takoi ambasadorin e OSBE-së, në Serbi z. Jan Braathu
Deputeti shqiptar në parlametin e Serbisë Argjend Bajrami gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me ambasadorin e OSBE-së, misioni në Serbi z. Jan Braathu, në Beograd, transmeton Ministria e Lajmeve.
“Gjatë takimit me z. Braathu theksova se vëmendja për Luginën e Preshevës në dekadat e fundit është zbehur dhe zvogëluar vetëm në ndryshimin e territoreve.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë vuajtur prej kohësh nga një kombinim i neglizhencës dhe diskriminimit nga qeveria e Beogradit.” – deklaroi z.Bajrami
Postimi i plotë :
Me ftesë të ambasadorit së OSBE, misioni në Serbi z. Jan Braathu, sot pata nderin të mirëpritem në Beograd
Gjatë takimit me z. Braathu theksova se vëmendja për Luginën e Preshevës në dekadat e fundit është zbehur dhe zvogëluar vetëm në ndryshimin e territoreve.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë vuajtur prej kohësh nga një kombinim i neglizhencës dhe diskriminimit nga qeveria e Beogradit.
Diskutuam mbi marrëveshjet që u nënshkruan mes përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Qeverinë e Serbisë për përmirësimin e pozitës juridike dhe politike të shqiptarëve në Serbi të cilat krahas obligimeve kushtetuese dhe ligjore, si dhe obligimeve të cilat imponohen nga marrëveshjet, nuk arritën të përmirësojnë të drejtat e pakicës shqiptare dhe diskriminimi sistemik vazhdon akoma të jetë prezent.
Temë diskutimi ishte edhe kërkesa jonë e kahmotshme për ndërtimin e një spitali që plotëson nevojat elementare për shërbimet shëndetësore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sidomos në periudhën sfiduese ku gjendja me pandeminë ka kaluar shifra të tmerrshme, por që asnjëherë nuk është përfillur, kështu duke pamundësuar realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duke na lënë në përballje për nevoja elementare në vazhdimësi.
Mosintegrimi i pakicës shqiptare në institucionet publike dhe shtetërore, gjë që e ka bërë të pamundur ofrimin e shërbimeve adekuate dhe duke rritur gjithashtu numrin e papunësisë, pasivizimi i adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, mosnjohja e diplomave si problem jetik dhe i kahmotshëm në Luginë, ishin nga temat diskutimit të cilat kërkova nga Ambasadori përkushtimin maksimal për trajtimin e këtyre problematikave.
U dakorduam për bashkëpunim të mëtutjeshëm për hartimin e politikave që trajtojnë problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.