Bota kujton Charlie Chaplinin – 42 vjet nga vdekja e një prej pionierëve të kinemasë
Më 25 dhjetor 1977 ka vdekur në Zvicër aktori, skenaristi, regjisori dhe producenti anglez Charlie Chaplin, një nga pionierët e kinemasë dhe një ndër artistët më të mëdhenj në historinë e filmit.
“Ai nuk ishte një yll Hollywood-i”, thotë ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte”
Mustaqe të zeza, kapelja, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha – karakteristika të Charlie Chaplin këto që nuk i harron askush. Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, me të cilin korri sukses të madh „Fëmija“ (1921) „endacaku“ ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.
Lindur në vitin me 16 prill 1889 në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër në vitin 1977 – gjatë jetës ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollywood. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) tematizon pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.
Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për „Dritat e qytetit“ ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e Chaplin.
Charlie Chaplin ishte i dhënë pas grave dhe është martuar gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja. Kjo shpesh herë i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, apostujt e moralit e kanë kritikuar ashpër atë.
Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si „Kohët moderne“ (1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – njeriu në ingranazhet e industrializimit.
Një vepër mjeshtërore e Chaplin është filmi “Diktatori i madh” (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Hitlerin dhe nazistët – Chaplin ia doli me sukses. Më vonë Chaplin është shprehur, se po të kishte pasur dijeninë për kampet e përqendrimit ai nuk do ta kishte xhiruar filmin. E pavarësisht kësaj “Diktatori i madh” edhe sot është një film që ia vlen të shihet.
Në veprën e mëvonshme “Projektorët” Chaplin ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij. Në të tematizohen ulje – ngjitjet e artistit. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë, kur Chaplin përçmohej në SHBA. Atë e akuzonin atje, se ishte i afërt me komunizmin. Chaplin, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk u lejua të kthehej në SHBA.