Lajme

BE-ja nuk i hap negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore

Ministrat e BE-së kanë dështuar të martën të arrijnë konsensus në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mes kundërshtisë së ashpër për këtë hap nga Franca.

“Nuk ishte ky një moment lavdie për Evropën”, tha komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, para gazetarëve në Luksemburg, pasi mori pjesë në takimin e ministrave të Çështjeve Evropiane.

Duke u kërkuar falje qytetarëve të dy vendeve ballkanike, Hahn tha se “shumica dërrmuese” e shteteve anëtare të BE-së mbështetën rekomandimin e Komisionit Evropian për të nisur bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, raporton AP.

Ai nuk përmendi se cilat vende kanë kundërshtuar këtë hap, por ministrja finlandeze e Çështjeve Evropiane, Tytti Tuppurainen, që po i kryesonte bisedimet për shkak se vendi i saj mban presidencën rotative të BE-së, theksoi se “ishte një vend anëtar që në veçanti ishte kundër”, transmeton Koha.net.

“Fatkeqësisht sot këshilli nuk ishte në gjendje të arrinte një vendim unanim”, tha ajo.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka insistuar se BE-ja 28 anëtarëshe duhet të reformohet vetë fillimisht para se të lejojë anëtarë tjerë t’i bashkohen. Ai dhe homologët e tij të BE-së do të çojnë këtë çështje në një samit dy-ditor në Bruksel që nis të enjten.

Më herët, liderët i janë zotuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut se një vendim i qëndrueshëm për të ardhmen e tyre do të merrej para fundit të tetorit.

Shefja e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini, paralajmëroi në muajin maj se Evropa, në termet e zgjerimit, “është në udhëkryq”.

“Ne gjithmonë themi se është proces i bazuar në merita, dhe kur vlerësohet merita si pozitive atëherë ajo duhet njohur”.

“Dështimi për të njohur dhe reaguar ndaj progresit objektiv do të dëmtojnë kredibilitetin e BE-së”, pati thënë ajo, duke shtuar se kjo gjë “do të rrezikonte edhe sigurinë dhe do të dekurajonte reformat e mëtejme”.

Paralajmërimi i saj pati ardhur pak kohë pasi Serbia i kishte vënë trupat e saja ushtarake në gjendje gatishmërie pasi policia e Kosovës, e armatosur rëndë, pati hedhur gaz lotsjellës dhe kishte arrestuar mbi 10 persona në veri të Kosovës duke vepruar, siç thanë ata, kundër krimit të organizuar.

Bisedimet mes dy vendeve janë ndërprerë.

Hahni tha të martën se shpreson që liderët e BE-së mund të thyejnë bllokadën këtë javë “në mënyrë që të rikthehet kredibiliteti ynë”, si në sytë e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në sytë e komunitetit ndërkombëtar.

Ministri italian për Çështje Evropiane, Vincenzo Amendola, tha se hapja e bisedimeve “normalisht se nuk nënkupton zgjerim të menjëhershëm, por i jep mundësinë Evropës që të rivendoset në Evropën juglindore e cila tradicionalisht është pjesë e kontinentit tonë dhe duhet të jetë pjesë e zgjerimit”.

Ai tha se shpreson që konsensusi do të arrihet në samit.