BE e prerë, nuk e njeh Lukashenkon si presidentin e Bjellorusisë
Shefi i diplomacisë në Bashkimin Europian, Josep Borrell bëri një deklaratë të fortë në lidhje me situatën e krijuar së fundmi në Bjellorusi, duke thënë se unioni nuk e njeh Aleksandër Lukashenkon si presidentin legjitim të vendit.
Sipas Borrell, zgjedhjet e 9 gushtit në Bjellorusi, që i dhanë një tjetër mandat Lukashenkos ishin të paligjshme.
“Situata është e qartë për ne. Ne i konsiderojmë zgjedhjet e 9 gushtit si joligjore. Ne nuk e njohim Lukashenkan si president legjitim të Bjellorusisë”, tha Borrell para ligjvënësve europianë.
Pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, Bjellorusia u përfshi nga protesta të dhunshme të opozitës, ku mijëra persona janë arrestuar, mes tyre dhe disa nga drejtuesit e saj.
Sakaq, bBloku evropian me 27 anëtarë është duke përgatitur sanksione kundër personave përgjegjës për mashtrime zgjedhore dhe shtypje të protestave./Opinion.al