Avdullah Hoti ndërron fjalët brenda 3 ditëve për dialogun
Deklarata
Avdullah Hoti, 3 tetor 2020
“Nëse gjatë kësaj periudhe (1 vit), nuk arrijmë të përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke, ne vazhdojmë si shtet i pavarur dhe fillojmë me bashkëjetu si dy vende fqinje që nuk e njohin njëri-tjetrin. Kaq!”
Avdullah Hoti, 6 tetor 2020
“Edhe nëse duhet 1 vjet, 2 vjet 5 vjet do të dialogojmë deri sa të arrijmë marrëveshjen finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”
ryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është i paqartë sa i përket kohëzgjatjes së dialogut me Serbinë deri në njohje reciproke. Fillimisht ka deklaruar se nëse brenda 1 viti nuk nënshkruhet marrëveshje për njohje reciproke, Kosova e Serbia vazhdojnë bashkëjetesën si dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Ndërsa, tri ditë më vonë, Hoti ka thënë se dialogu mund të vazhdojë edhe 5 vjet nëse është nevoja.
Artikulli
Kryeministri Hoti ka dhënë dy deklarata të kundërta sa i përket kohëzgjatjes së dialogut me Serbinë për njohje reciproke.
Në një konferencë për media të martën, kryeministri Avdullah Hoti tha se Kosova nuk ka zgjidhje tjetër përpos se të dialogoj me Serbinë deri në arritjen e marrëveshjes finale për njohje reciproke edhe nëse ky proces shkon deri në 5 vjet.
“Nuk ka rrugë tjetër për të zgjidhur çështjen mes Kosovës dhe Serbisë përveç me dialogun. Edhe nëse duhet 1 vjet, 2 vjet 5 vjet do të dialogojmë deri sa të arrijmë marrëveshjen finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Zgjidhje tjetër nuk ka!”, tha kryeministri Hoti në një konferencë për media gjatë ditë së sotme.
Mirëpo krejt ndryshe kishte deklaruar Hoti para 3 ditëve në emisionin Oxygen të Klan Kosovës, në të cilën kishte folur për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington.
Duke e arsyetuar “moratoriumin për të mos kërkuar anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, Hoti kishte thënë se në rast se brenda kësaj periudhe nuk arrihet marrëveshja, atëherë dy vendet vazhdojnë si dy vende fqinje që nuk e njohin njëri-tjetrin.
“Gjatë kësaj periudhe 1 vjeçare, të punojmë, të ulemi bashkë dy palët me ndërmjetësim të Brukselit dhe Uashingtonit, që të shkojmë drejt marrëveshjes përfundimtare. Nëse gjatë kësaj periudhe, nuk arrijmë të përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke, ne vazhdojmë si shtet i pavarur dhe fillojmë me bashkëjetu si dy vende fqinje që se njohin njëri-tjetrin. Kaq!”, ishte shprehur Hoti në Oxygen.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një proces të gjatë të bisedimeve me njëra tjetrën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe së fundit edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Fillimisht procesi i parë i dialogut ishte quajtur teknik, pastaj për normalizim të marrëdhënieve dhe ky i fundit, dialogun final për njohje reciproke.