Arifi: VV po e përdor Luginën e Preshevës, vazhdimisht ka krijuar përçarje
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e përçanë spektrin politik në Luginë të Preshevës
Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifti, ka treguar arsyet pse nuk e ka nënshkruar deklaratën e përbashkët e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës, ku kërkohej reciprocitet i të drejtave siç parashihet për serbët në planin evropian.
Ai përmes një lidhje telefonike në “Debat Plus”, ka thënë se dokumenti është bërë për konsum të brendshëm politik dhe se sipas tij zhvlerësohen dokumentet tjera.
“Nuk e nënshkruaj se kjo është dokument vetëm për konsum të brendshëm në Preshevë, i zhvlerëson tjera dokumente që janë më të rëndësishme se sa kjo. Kjo nuk ka adresë, nuk ka një përkthim sepse thuhet që iu ka dërgua ndërkombëtarëve”, ka thënë ai.
Arifi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, për 15 vjet e ka shfrytëzuar Luginën e Preshevës në mënyra të ndryshme.
Pse kur nuk e ka shfrytëzu, kallzoma një rast në 15 vitet e fundit që VV nuk e ka shfrytëzuar luginën. Si është rasti me 2 milionë eurot, me listën e përbashkët që e kanë përçarë politikën, e ka përça luginën e Preshevën VV në krye me Kurtin e Liburn Aliun. Na kanë dëmtuar dhe vazhdojnë me na dëmtu”, ka thënë ai.