Të fundit

Zyrtarizohet Memorandumi i Bashkëpunimit mes Komunës së Preshevës dhe International Balkan University

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me zëvendëskryetarin e komunës Ragmi Mustafa dhe zëvendëskryetarin e Kuvendit Komunal Armend Aliu, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Shkup, ku u pritën në International Balkan University.

Gjatë kësaj vizite u zyrtarizua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Preshevës dhe International Balkan University, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe institucioneve akademike.

Ky memorandum përcakton një kornizë bashkëpunimi në fusha të rëndësishme si arsimi, kërkimi shkencor, zhvillimi komunitar, inovacioni dhe ngritja e kapaciteteve, me qëllim ndërlidhjen e dijes akademike me nevojat reale të komunitetit lokal.

Nga Komuna e Preshevës u theksua se ky partneritet synon të shndërrohet në projekte konkrete dhe rezultate të prekshme, në dobi të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.