Zëvendësohen tabelat dygjuhëshe në Finiq të Sarandës, shqipja gjuha e parë
Tabelat orientuese në Finiq janë vendosur sërish me gjuhë të parë shqipen dhe më pas greqishten.
Një ditë pas debatit të hapur mes palës greke dhe shqiptare për respektim të minoriteteve, ARRSH bëri zëvendësimin sipas rregullave teknike.
Shqipja gjuhë e parë dhe greqishtja e dytë. Këto janë tabelat që do të orientojnë udhëtarët në aksin Gjirokastër-Sarandë dhe territorin e Bashkisë minoritare të Finiqit.
ARRSH bëri zëvendësimin e tabelave të vendosura nga bashkia jugore në shkelje të ligjit për pakicat dhe rregullave teknike që u cilësuan rrezik për aksidente.
“Tabelat që po zëvendësohen janë tabela që plotësojnë të gjitha standardet e përcaktuara nga ana e kodit rrugor dhe specifikimet teknike të përcaktuara posaçërisht në rrugë nacionale aty ku ka edhe zona të minoriteteve të ndryshme. Heqja e tabelave të mëparshme i shërbente sigurisë rrugore”, ka thënë Sonila Qato.
Ndërhyrja e ARRSH-së dhe Policisë mbrëmjen e së shtunës ngjalli edhe reagime politike për ndërhyrjen dhe orarin e aksionit.
Ndaj ish-aleati Vangjel Dule tashmë i radhitur në opozitë, krahas akuzave ka ngritur edhe pesë pyetje për kryeministrin Edi Rama.
“Me qëndrime, hiene natën dhe qengji ditën, pretendoi dje arsyen teknike që çuan në këtë akt të papranueshëm”, ka thënë Dule.
Rëndësinë e respektimit të pakicave në rrugën integruese, qeverisë ia përsëriti edhe Konsulli grek në Gjirokastër.
“Në momentin që Shqipëria do të ketë respektuar minoritetet nuk do të ketë asnjë pengesë apo kundërshti nga Greqia”, tha Konsulli.
Përgjigjen duket se e morën nga një përfaqësues i minoritetit në radhët e mazhorancës.
Situata sipas Adrea Martos u shkaktua nga një keqkuptim, por ndërhyrjen në kohë e cilësoi tregues të interesimit të qeverisë për këto komunitete.
“Vendosja e tabelave në kohë rekord tregon interesimin e qeverisë për të zgjidhur çështjen dhe për të normalizuar situatën”, është shprehur Marto.
Tabelat orientuese në Bashkinë e Finiqit të drejtuar nga Leonidha Kristo u vendosën në fund të prillit, por në kundërshtim me ligjin aty gjuha greke ishte para asaj shqipe./