FutbollSporti

Xavi shumë afër të bëhet trajner i Barçës

Xavi do të jetë trajneri i ri i Barcelonës, raporton Goal, derisa aventura e Ernesto Valverdes në Camp Nou është drejt fundit.

Sipas këtyre raportimeve thuhet se mesfushori legjendar ka qenë në bisedime të rregullta ditët e fundit me drejtorin gjeneral të Barcelonës, Oscar Grau dhe sekretarin teknik, Eric Abidal, transmeton Koha.net.

Nuk pritet të ketë ndonjë konfirmim zyrtar para se Al-Saddi, klubi aktual i Xavit, të zhvillojë ndeshjen finale të Kupës së Katarit, më 17 janar.

Derisa pritet të vendoset nëse Xavi do të marrë drejtimin e Barcelonës menjëherë apo në përfundim të sezonit.

Xavi do të ishte i lumtur të merrte drejtimin e Barcelonës, e edhe klubi do të donte të njëjtën gjë, por 39 vjeçari ka një respekt të madh për Valverden dhe nuk do të donte që të detyronte shkarkimin e tij.

E ardhmja e Valverdes pritet që të vendoset të hënën, kur do të ketë një mbledhje bordi i Barcelonës.

“Nuk mund ta fsheh, kjo është ëndrra ime. Ëndërroj të jem trajner i Barcelonës, e kam thënë në shumë intervista. Të gjithë e dinë se e mbështes Barcelonën nga thellësia e shpirtit, prandaj po, është një nga ëndrrat por unë jam i fokusuar në Al-Sadd. Unë e respektoj Barcelonën, Valvderden dhe klubin tim aktual prandaj nuk mund të them asgjë më shumë”, është shprehur ai.