Arreston disa persona në Novi Pazar për falsifikim të diplomave
Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, UKP, SBPOK, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar Financiar, me urdhër të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar, kanë arrestuar katër persona për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale të bashkimit për kryerjen e veprave penale dhe falsifikimit të dokumenteve në vazhdimësi.
Janë arrestuar organizatori i grupit të organizuar kriminal B. D. (1974), person përgjegjës në një shkollë të mesme në Novi Pazar, si dhe anëtarët e grupit kriminal I. P. (1961), M. N. (1955) dhe V. Gj. (1954).
Të dyshuarit, nga tetori i vitit 2025 deri më sot, në një shtypshkronjë ilegale në territorin e Beogradit kanë prodhuar më shumë se 120 dokumente të rreme dhe të falsifikuara, si dëftesa, diploma të shkollave të ndryshme të mesme, të larta dhe universitare, vërtetime për provime të kaluara, diploma masteri, me qëllim që porositësit t’i përdorin ato në qarkullimin juridik si dokumente të vërteta dhe të fituara në mënyrë të ligjshme.
Në këtë mënyrë, të dyshuarit kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 20 milionë dinarë.
Gjatë kontrolleve të kryera në adresat në Beograd dhe Novi Pazar, janë gjetur dhjetëra dokumente të falsifikuara, diploma, vërtetime, si dhe telefona, vula dhe një shtypshkronjë ilegale në Beograd me pajisje për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Gjithashtu, janë gjetur dhe konfiskuar 44.550 euro.
