BoksSporti

Alban Beqiri mposhtet në gjysmëfinale, por kthehet me medalje nga Beogradi

Alban Beqiri ka mbyllur sot garimin e tij historik në Botërorin e Boksit me një medalje të bronztë.

Boksieri shqiptar ia doli që të shkonte deri në gjysmëfinalet e turneut që u mbajt në Serbi, ku u mund me pikë nga rusi Vadim Musaev.

Një dëmtim i dyfishtë në dorë dhe në mes ndikoi sfidën e Beqirit, që synonte të shkonte në finalen e madhe për peshën deri në 71 kilogramë. Musaev arriti ta mbante larg boksierin shqiptar duke siguruar me goditje nga distanca pikët që i duheshin për të siguruar praninë në finale. Boksieri rus fitoi me pikë 5:0.

Gjithsesi, kjo mbetet një pjesëmarrje historike për boksierin kuqezi, i cili fitoi katër meçe me radhë derisa arriti në gjysmëfinale ku edhe humbja ia siguroi medaljen e bronztë, e para në historinë e Shqipërisë në një aktivitet të këtyre përmasave.

Boksierëve nga Kosova i ishte ndaluar pjesëmarrja në Botërorin në Beograd. Delegacioni i Kosovës nuk u lejua të hynte në Serbi nga autoritetet e shtetit fqinj, ndonëse tri herë tentuan ta bënin këtë. Për këtë të hënën Komiteti Olimpik i Kosovës ka deponuar ankesë zyrtare te Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Në Botërorin e Beogradit kanë marrë pjesë edhe pesë boksierë tjerë shqiptarë. Don Emini ka garuar për Norvegjinë. Ai u ndal në 1/8 e finales në kategorinë deri 71 kilogramë nga jordanezi Eashash. Po të fitonte përballjen do të vinte te një duel me Beqirin. Shqipërinë pos Beqirit e kanë përfaqësuar edhe Indrit Laci e Nelson Hysa.

Ndërkohë për Maqedoninë e Veriut boksuan Jasin Lama e Arsim Etemi.