Lajme

Vulin: “Besoj fuqishëm në krijimin e botës serbe” 

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandër Vulin, ka proklamuar sërish idenë etnonacionaliste dhe irridentiste të të ashtuquajturës “Serbia e Madhe”.

Ai gjatë një ceremonie në Kuvendin Komunal të Ribnikut, në “Republikën Serbe” në Bosnje dhe Hercegovinë, deklaroi edhe njëherë se beson fuqishëm në krijimin e “Botës Serbe”, ideja që serbët që jetojnë në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë pjesë e së njëjtës sferë politike.

“Nëse gjermanët, një komb i mundur në Luftën e Dytë Botërore, mund të krijonin një shtet të bashkuar, ne serbët, si komb fitimtar në Luftën e Dytë Botërore, nuk do të mund të jetonim së bashku”.

Madje, ai thotë se ky proces nuk mund të ndalet.

“Kush kërcënohet nga nevoja që serbët të jenë një, çfarë mund të më ndajë mua nga Republika Serbe dhe çfarë mund t’ju ndajë nga Serbia? Për sa kohë që Aleksandar Vuçiq udhëheq Serbinë, Republika Srpska do të ruhet”, tha ministri, përcjellë MPB-ja serbe.

Ministri i brendshëm serb njihet për deklaratat e tij nacionaliste dhe për thirrjet e tij për të krijuar të ashtuquajturën “botë serbe”, e cila, sipas tij, do të bashkonte “të gjithë serbët kudo që janë” brenda asaj që ai e quan “botë serbe”.

“Bota Serbe” viteve të fundit, është një politikë e lansuar nga korrieri i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njeriu që udhëheq departamentet e mbrojtjes dhe të policisë në Serbi.

Vulin, në funksion të elaborimit të ideve të sferës private të mendimeve dhe aspiratave të Aleksandër Vuçiç, si zëdhënës i ideve për të cilat presidenti i tij s’flet, e ka komoditetin, që publikisht, t’i hedh këto ide serbo-madhe, në mënyrë që të çlirojë Vuçiçin nga barra e të dhënit përgjigje për këto ambicie të errëta të Serbisë.

Në prill të këtij viti, Vulini me habi të panatyrshme pyeste se “si ka mundësi që kufijtë në Ballkan të jenë të pandryshueshëm”, dhe vriste mendjen se pse çështja e Serbisë nuk mund të ndreqet përmes “bashkimit të serbëve brenda një shteti të vetëm?”.

Deklarimet e Vulin’it, për “bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet” nuk janë në pajtim me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe janë në kundërthënie me integrimin e Serbisë në strukturat evropiane. /Albanianpost.com