Vuçiqi shkon në Bruksel, por thotë se s’takohet me Kurtin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vendosur ta pranojë ftesën e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të shkuar në një takim urgjent në Bruksel. Por ka shtuar se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Borrell i ka bërë ftesë urgjente kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq për një takim në Bruksel për të ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës në veri.
Dhe Vuçiqi ka thënë se do të flasë me Borrellin sa është e nevojshme, por jo edhe me Kurtin
“Do të shkoj në Bruksel të flas me Borellin një orë, dy deri në dhjetë orë, nuk kam punë me Kurtin, nuk do të flas me Kurtin, sepse të flasësh me të nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për Marksin dhe kaq. Gjithçka tjetër ka të bëjë me persekutimin e serbëve dhe ligjëratat për çështjet e brendshme politike në Serbinë qendrore”, ka thënë Vuçiq për RTS-në të enjten.
Arrestimet e serbëve, Vuçiqi i ka konsideruar si synim për t’i dëbuar nga Kosova.
“Ne jemi vetëm në këtë, duhet të kuptojmë forcat tona. Dikush duhet të kryejë detyra të vështira në emër të qytetarëve në kushtet më të vështira. Kërkoj nga njerëzit të kuptojnë se vendi është në një situatë të vështirë. Jemi nën presionet më të vështira. Për çështjen e Kosovës flasim vetëm me Perëndimin. Është çudi të flasësh me dikë që s’keni muhabet. Shikoni deklaratat e Escobarit do të kuptoni gjithçka dhe do të shikoni se në çfarë situate të tmerrshme ndodhet Serbia”, ka thënë ai.