Lajme

Vuçiqi nis hakmarrjen për taksën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se shqiptarët dëshirojnë të përfshijnë numër sa më të madh të serbëve nga Anamorave në Ushtriën e Kosovës dhe i ka ftuar ata që mos t’i përgjigjen kësaj ftese.

Ai kështu ka thënë pas bisedave në Rashkë me zyrtarët e Listës Serbe.

“Tash po mbahet konkursi për ushtrinë kosovare, respektivisht atë shqiptare dhe për këtë po insistojnë në Anamorave, në fshatrat serbe, nga Kusca e Epërme deri në Novo Bërdë, deri te Pasjani, Parteshi, Budriga dhe vendbanime tjera. Dëshirojnë të mbledhin sa më shumë serbë për Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Vuçiq.

Ai thotë se i ka lutur serbët që mos të bëhen pjesëtarë në ushtrinë shqiptare në Kosovë.

“Të shohim se a do t’i përgjigjen apo jo kësaj ftese”, ka shtuar ai.

Sipas tij, për herë të parë ka dëgjuar nga njerëzit nga Shtërpca dhe Graçanica se gjithnjë e më shumë po kanë probleme me furnizime nga Serbia.

“Probleme po kanë edhe serbët në veri, pasi që shqiptarët e kanë organizuar policinë kufitare që të kontrollojnë se si ka ardhur malli dhe po ua marrin. Puna jonë është që të luftojnë që njerëzit të mbijetojnë”, ka thënë ai.