Lajme

Vuçiqi mesazh serbëve përpara zgjedhjeve lokale,“Ngrihuni e luftoni…”

Ngrihuni e luftoni për të drejtat tuaja, ishte mesazhi i Aleksandar Vuçiç i cili i kërkoi serbëve të Kosovës që në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të jenë të bashkuar.

Të luftojnë për veten e tyre, për të drejtat e tyre dhe për shtetin e tyre. Të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh dhe të përfaqësohen në institucione kudo që është e nevojshme, të mund të reagojnë brenda institucioneve në forma të ndryshme, por gjithmonë në mënyrë efektive dhe në të mirë të njerëzve të tyre”, ishte mesazhi i tij.

Më herët, Vuçiç kishte deklaruar se të gjithë përfaqësuesit e serbëve që garojnë në zgjedhjet lokale, e që nuk janë pjesë e Listës Serbe, nuk do ta kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Kjo parti, me mbështetjen e Beogradit zyrtar u formua më 2013. Që atëherë, ajo është partia kryesore serbe e Kosovës, e cila në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ka fituar rreth 90 për qind të votave të votuesve nga radhët e komunitetit serb.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lista Serbe fitoi të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë udhëhiqen nga Lista Serbe. Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të drejtë vote kanë 1.8 milion qytetarë të Kosovës, që do të zgjedhin 38 kryetarët e rinj të komunave dhe anëtarët e asambleve komunale.