Vuçiq kërkon nga Erdogan që t’i bëjë presion Thaçit dhe Hotit që mos ta njohin Izraelin
Kosovw (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”.
Kjo është pika e parafundit e dokumenteve të nënshkruara nga pala kosovare dhe ajo serbe në Uashington.
Megjithatë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vetëm dy ditë pas nënshkrimit të këtij dokumenti, ka vendosur ta shkelë atë.
Pjesë e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë ishte edhe pika ku Kosova dhe Izraeli lidhin marrëdhënie diplomatike me njëra-tjetrën. Po ashtu, Kosova dhe Serbia janë zotuar se do t’i hapin ambasadat e tyre në Jerusalem.
“Ata janë miq tanë, vëllezër, dhe shpresoj se ashtu edhe do të mbeten, dhe i lus edhe një herë që të rimendojnë se çfarë vendimi do të marrin”, ka thënë Vuçiqi sot para mediave në Bruksel, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.
Presidenti serb tha se i kupton lojërat politike në të cilat “dikush dëshiron të thotë se edhe një vend mysliman, duke menduar në Kosovën, e njeh Izraelin”, por shtoi se duhet pritur, sepse Izraeli fillimisht duhet të marrë vendim për çështjen e Kosovës.
Ai shton se do të donte të shihte se çfarë do t’i thotë presidenti turk presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit e kryeministrit Avdullah Hoti nëse e hapin ambasadën në Jerusalem.
Në konstatimin se Turqia nuk është e kënaqur as me Serbinë që po e zhvendosë ambasadën në Jerusalem, Vuçiqi tha se të gjithë janë nga pak të pakënaqur.
“Ka shumë që janë të pakënaqur për gjëra të ndryshme, të shohim… të shohim se çfarë do të bëjë Izraeli, a do ta njohë Kosovën… Për këtë arsye Serbia nuk ka dashur ta nënshkruajë atë dokument, por e ka pasur dokumentin e vet”, tha Vuçiqi.
Ai shtoi se Serbia dhe Izraeli janë miq, ndërsa theksoi se Serbia qysh në vitin 1917 ishte vendi i parë në botë që e miratoi deklaratën e Balfourit dhe e ka njohur Izraelin, gjë të cilën ai shpreson se do ta vlerësojë qeveria izraelite.
“I kuptojmë lojërat politike ku dikush dëshiron të thotë se edhe një vend tjetër mysliman, Kosova, do ta njohë Izraelin. Super nëse Kosova e njeh Izraelin, por së pari duhet Izraeli ta njohë Kosovën, kurse atëherë Kosova le ta bëjë punën e vetë… Të shohim çfarë do t’u thotë Erdogani Thaçit e Hotit”, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. ge