Shqipëri

Më 25 prill 2021 shqiptarët u drejtohen kutive të votimit

Më 25 prill shqiptarët do t’u drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021.

Kjo datë është dekretuar nga ana e presidentit Ilir Meta, në mbështetje të Kodit Zgjedhor.

“Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më 25 prill 2021”, thuhet në dekretin e Metës.

Kjo datë vjen pas konsultimeve gjatë ditës së premte mes presidentit Meta dhe kryetarëve të partive kryesore politike në vendin tonë.

D E K R E T

PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN

Në mbështetje të nenit 65, pikat 1 dhe 2, 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1 dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë,

D e k r e t o j:

Neni 1

Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më 25 prill 2021.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekreti 11700
Tiranë, më 06.09.2020

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META