Vitia bisedoi me homologun serb Llonçar rreth bashkëpunimit kundër përhapjes së COVID-19
Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Nicola Orlando, ka mirëpritur angazhimin e ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, dhe homologu të tij nga Serbia, Zllatibor Llonçar, në lidhje me, siç u shpreh ai, bashkëpunimin praktik për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Në një postim në Facebook, Orlando tha se çmon angazhimin e tyre për të kapërcyer distancat dhe për t’u përqendruar në shëndetin e të gjithë qytetarëve si përparësi kryesore, raporton KSP.
Sot Italia ishte nikoqire e një video-konference, me pjesëmarrjen e KFOR-it, midis ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, dhe atij të Serbisë, Zllatibor Llonçar, e përqendruar në urgjencën e COVID-19.
Në këtë video-konferencë të dyja palët shkëmbyen mendime mbi situatën në terren dhe diskutuan veprimet për të trajtuar pandeminë.
Diskutimi, i cili u ndoq nga KFOR-i, gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në mënyrë që të përmbajë në mënyrë efektive përhapjen e COVID-19 në rajon.