Lajme

Vijon operacioni në Veri të Kosovës, arrestohen edhe dy zyrtarë policie

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve sot në orët e pasdites kanë arrestuar edhe dy zyrtarë policorë, njërin në Jarinje (pikë kalimin kufitar) dhe tjetrin në Mitrovicën jugore, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Edhe arrestimet e sotshme (zyrtarëve policorë të policisë kufitare me inicialet D.P dhe V.T) janë vazhdimësi e operacionit të emërtuar “Kontrabanda” që u zhvillua më 28 maj 2019 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në disa lokacione në veri të vendit dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Operacionit “Kontrabanda” i ka paraprirë një hetim disa mujor i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale “Kontrabandë me mallra”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e ndaluar” etj.

Të arrestuarve me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.