Vëllezërit Abazi kishin shkuar për të siguruar bukën e gojës në Shqipëri, kërkohet ndihma për 6 jetimët
Familja Abazi nga Livoçi i Gjilanit, e cila nga tërmeti i së martën në Shqipëri, ka humbur dy djemtë Shemsedin dhe Isa Abazin, po vizitohet nga shumë qytetarë e përfaqësues të institucioneve të cilët përveç ngushëllimeve po ndihmojnë në mënyra të ndryshme.
Tërmeti që goditi Shqipërinë la të vdekur dy vëllezërit Abazi, të cilët mbetën nën rrënojat e një hoteli në qytetin e Durrësit.
Qytetarë të shumtë, biznese dhe institucione komunale e shtetërore, janë zotuar për t’i ndihmuar familjet e dy të ndjerëve.
Shemsedini, 32 vjeçar pas vetës ka lënë gruan dhe katër fëmijë, ndërsa, Isa 29 vjeçar ka lënë bashkëshorten dhe dy fëmijë.
Kushtet në të cilat jetojnë familjet nuk janë të mira. Ndërsa, të dy vëllezërit kishin punuar si mekanik në Shqipëri për të siguruar bukën e gojës.
Axha i dy të ndjerëve, Ramadan Abazi, për KosovaPress, ka thënë se kushtet në të cilat jetojnë familjet e dy të ndjerëve nuk janë të mira.
Ai tregon se vetëm dy vëllezërit kishin punuar për të mbajtur pjesën tjetër të familjes, derisa thotë se bashkëshortet e tyre nuk kanë punuar asnjëherë.
“Kushtet dihet sa të mira i kanë pasur. Ata për bukë kanë shkuar, ata dy nipat për një kafshatë buke, me punuar e me fituar një kafshatë bukë me ua pru fëmijëve. Por dashtë Zoti do të na ndihmojnë edhe institucionet shtetërore, sigurisht jam i bindur, se kanë mbetur 6 jetimë, vëllai im është i paaftë për punë, e kanë edhe një axhë, se këta e kanë humbur edhe një vëlla më herët para 12 viteve, edhe dy tash, veç tre, një ka mbetur prej tyre edhe ky është me do operacione, jo boll i aftë për punë, po dashtë Zoti presim ditë të mira”, tha ai.
Axha i vëllezërve Abazi ka falënderuar të gjithë ata që po i ndihmojnë për të kaluar këto ditë të vështira për ata, derisa ka bërë të ditur se familjes i është premtuar se do t’i ndërtohet një shtëpi.