Lajme

Valon Murati: Kurti s’ka guxim, s’do ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka deklaruar se e sheh joserioze qasjen e Qeverisë sa i përket çështje së dialogut me Serbinë.

Madje, ai shtoi se Kosovës nuk i konvenon status-quo dhe se kjo është në favor veç se te Rusisë.

Ai nuk beson që kryeministri Akbin Kurti do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje me shtetin fqinjë, kjo për shkak të mungesës së guximit

“Sa i përket dialogut unë shoh jo seriozitet total të gjithë akterëve. Kosova do të duhej të ishte më e interesuara që të jemi aktiv në dialog. Ne nuk na konvenon status-quo. Këtë e tha edhe ndihmës sekretarja e shtetit në vizitën e fundit kur tha se status-quo i konvenon Rusisë. Qeveria jonë ka ngecur në këtë status-quo dhe po i pëlqen”.

Zotëri Kurti ka ardhur në pushtet edhe duke e kritikuar gjithë procesin e dialogut. Dhe për aq sa e lexoj politikën e tij nuk besoj që ai do të nënshkruaj diçka dhe kjo është mungesë e guximit dhe bërja e politikës duke u bazuar në populizëm. Ne kemi nevojë për politikan të guximshëm që dinë çka duan dhe që na nxjerrin nga situata e status-quo në të cilën jemi”.

Megjithatë, Murati theksoi se nuk sheh interesim as nga Serbia dhe BE-ja që të ecet përpara me arritjen e një marrëveshje finale, raporton EO.

“Nuk shoh interesim as nga Serbia sepse ajo është e interesuar për bisedime teknike si kjo për targa të cilat nuk janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Nuk shoh dinamikë edhe te BE. Krejt ky proces e ka një element të ri që mund të shpejtoj dhe është faktori amerikan që po dërgojnë sinjale të qarta se nuk duan status-quo dhe kjo mund ta ndryshojë dinamikën”.

Murati në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se nga vizita e kryeministrit Albin Kurtit në ShBA nuk sheh ndonjë rezultat sepse nuk ka takime të nivelit të lartë.