“Unë po kthehem”, Tyson pritet të konfirmojë rikthimin sensacional në ring
Mike Tyson duket se ka konfirmuar se do të bëjë rikthim sensacional në boksin profesionist. Ish-boksieri i kategorisë së rëndë ka shfaqur një tjetër video të stërvitjeve të forta dhe goditjeve brutale.
53-vjeçari ka lënë tifozët e tij të ngazëllyer për mundësinë e rikthimit në ring, 15 vjet pasi ai vari dorëzat. Ka publikuar së fundi disa video duke ushtruar fuqishëm.
Legjenda Tyson ka treguar se nuk ka humbur shpejtësinë dhe forcën që e kishin bërë yll të kategorisë së rëndë. Boksieri amerikan madje ka thënë se është i hapur për një meç ekzibicional për bamirësi, këtë vit.
Të hënën ylli i boksit ka publikuar një video tjetër të tij në aksion, ku shfaq kombinime të goditjeve të fuqishme. Ai i drejtohet kamerës duke thënë: “Unë po kthehem”.
Muajin e kaluar ai tha se po përgatitet për kthim në ring për një meç ekzibicional.
“Unë kam stërvitur, jam përpjekur të futem në ring. Mendoj se do të bëjë disa meçe ekzibicionale dhe të kthehem në formë”, kishte thënë Tyson.
Ideja e tij është që të zhvillojë meçe prej tri apo katër raundeve, të fitojë ca para, të ndihmojë njerëzit pa shtëpi dhe ata të varur nga droga. Njerëzit si unë, ka thënë Tyson.
Ka raportime se Tyson mund të përballet me rivalin e tij të dikurshëm, Evander Holyfield. Edhe Holyfield ka paralajmëruar kthimin në ring.