Tri shtete ballkanike i premtojnë Serbisë përkrahje në integrimin evropian
Udhëheqësit e katër vendeve të Ballkanit, Serbisë, Greqisë Bullgarisë dhe Rumanisë mbrëmë, në kryeqytetin rumun, e kanë nënshkruar Deklaratën e Bukureshtit.
Deklaratën e kanë nënshkruar tre kryeministra dhe një president: Viorica Dancila (Rumani), Boyko Borissov (Bullgari), Alexis Tsipras (Greqi) dhe Aleksandar Vuçiq (Serbi), transmeton Koha.net.
Me këtë deklaratë, siç njoftojnë medie nga Beogradi, konfirmohet shtimi i bashkëpunimit ndërmjet këtyre vendeve ndërsa tri vendet anëtare të Bashkimi Evropian i kanë premtuar Serbisë përkrahje në rrugën e saj të integrimit evropian.
“Ne përpiqemi për zgjerimin e BE-së në vendet e rajonit, ndërsa Rumania në veçanti angazhohet në përshpejtimin e procedurës kur bëhet fjalë për Serbinë”, ka thënë me këtë rast kryeministrja rumune Dancila.
Në deklaratë parashihet zgjerimi i bashkëpunimit në infrastrukturë e energjetikë ndërmjet këtyre katër vendeve.
Vetëm Bullgaria, nga këto katër shtete, e njeh pavarësinë Kosovës.
Lidhur me Kosovën, Serbia i konsideron shumë aleate Rumaninë dhe Greqinë.