Thaçi: Të thuhet se ‘ideja për korrigjimin e kufijve është e Aleksandar Vuçiq’, është qesharake – Serbia s’ka prezantuar plan për Kosovën
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se janë gënjeshtra deklaratat e homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq, për çështjen e idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë.
”Është qesharake të mendohet se ideja e përfshirjes së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën, të jetë e Aleksandar Vuçiqit”.
”Nuk jam që të flas se çfarë mendon Aleksandar Vuçiq, flas në atë që angazhohem si president në mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës”.
Thaçi në emisionin Opinion insistoi që bashkëngjitja e Luginës së Preshevës në Kosovë, ishte e ide e tij personale, njofton Ministria Lajmeve.
”Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike, është e imja personale jam angazhuar edhe në procesin e Berlinit dhe vazhdimisht do të jem i angazhuar që të ndodhë kjo”.
”Nëse thuhet se Aleksandar Vuçiq ishte ideator do të ishte naivitet tepër i madh. Aleksandar Vuçiq nuk ka prezantuar plan për Kosovën. Në idetë e tyre është ndarja e Kosovës. Korrigjimi nuk është ndarje e Kosovës”.
”Dallimi qëndron tek shkëmbimi i territoreve që ka qenë temë e mëhershme edhe e liderëve të caktuar në Kosovë. Kur flas për shkëmbimin – këtë ide e ka propozuar Ibrahim Rugova më 1994 edhe zotri Qosja. Ndërsa ideja ime është korrigjimi”.
”Besoj plotësisht në drejtësi dhe angazhimin që kjo pjesë e Medvegjës, Preshevës e Bujanocit t’i bashkangjitet Kosovës në emër të perspektivës europiane. Vuçiq nuk ka deklaruar kurrë si plan korrigjimin e kufijve. Ajo deklaratë e dhënë është gënjeshtër e kulluar apo e nxjerrë si e tillë nga gazetarët”.
Presidenti Hashim Thaçi theksoi që homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq asnjëherë nuk ka prezantuar plan për Kosovën, ndërsa ka dhënë detaje dhe si lindi ideja e korrigjimit të kufijve, njofton Ministria Lajmeve.
”Nuk i besoj që Aleksandar Vuçiq ka deklaruar diçka të tillë – ai nuk ka prezantuar asnjëherë plan, nuk ka folur kurrë për korrigjimin. Pavarësia është proces i pakthyeshëm. Ideja lindi nga një bashkëbisedim me liderët e Medvegjës Preshevës e Bujanocit në zyrën time. Unë e kam prezantuar por jo si plan të shtruar por si ide. Ia kam thënë edhe Vuçiqit që ka pasur një reagim agresiv dhe arrogant ndërsa Mogherinit nuk ia kam thënë”.