Të dielën zgjedhjet në Serbi, subjektet shqiptare të Luginës së Preshevës vazhdojnë me inate
Bashkërenditja e subjekteve politike shqiptare përkrah Listës zgjedhore “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, me numër rendor 16, tregon gatishmërinë e spektrit politik se të bashkuar mund të hapërojnë drejt përfaqësimit të tyre në Parlamentin Republikan të Serbisë.
Këtë askush nuk e konteston se bashkë munden, bile nuk e kontestojnë as ato parti, të cilat më 19 maj, në Tiranë firmosën Marrëveshjen për unifikimin e subjekteve politike për pjesëmarrje me listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Serbi, më 21 qershor, të këtij viti.
Dita e zgjedhjeve po afron e subjektet zotuese të kësaj marrëveshjeje, nuk po i përmbushin obligimet e tyre, duke e lënë të vetme Partinë për Veprim Demokratik dhe bartësin e listës nga kjo parti Shaip Kamberi, të bëjë fushatë elektorale, për t’i bindur votuesit, që në numër sa më të madh të dalin në zgjedhjet parlamentare, krahas atyre lokale për pushtet lokal.
Për t’i dhënë përkrahje unifikimit të faktorit politik shqiptar dhe pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet parlamentare, në Luginë të Preshevës erdhi në një vizitë tre ditore ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, duke theksuar “rëndësinë e patjetërsueshme të ruajtjes së unitetit të brendshëm dhe nevojën e punës së përbashkët për mbrojtjen e lartësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për një jetë më të mirë në çdo kohë e çdo rrethanë”.
Thënë të drejtën, as Marrëveshja e as përkrahja e ministrit Cakaj, nuk po përfillen nga disa parti politike, të verbuara e të tërbuara nga inatet e përçarja për pushtet lokal në Bujanoc, duke lënë anash interesat vitale të shqiptarëve për përfaqësim dinjitoz edhe në nivelin qendror të pushtetit.
Ne e dimë se me dy ose tre deputetë shqiptarë, nga 250 sish sa ka Parlamenti i Serbisë, nuk të ndodhin mrekullitë, zgjedhja e tyre do të thotë shumë. E para se e dëshmon forcën elektorale dhe së dyti faktorizimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Është shumë lehtë të mos dalësh në zgjedhjet parlamentare, një angazhim më pak në këto procese shoqërore, por si do ta ndalosh Beogradin, kur thotë se shqiptarët janë pak në Luginë të Preshevës, duke e legjitimuar regjistrimin e fundit të popullsisë në Serbi, të cilin shqiptarët e bojkotuan për arsye të ndryshme.
Parcializimi, grupizimi, përçarja dhe inatet patologjike të spektrit politik, s’ka se si të mos e dëmtojnë korpusin elektoral shqiptar, në këto procese shumë të rëndësishme shoqërore, në të cilat po kalon Lugina e Preshevës, qoftë për ta avancuar pozitën e saj politike, qoftë për ta faktorizuar veten në prag të proceseve dialoguese Kosovë-Serbi.
Kujtoni një thënie me shumë kuptim për procesin zgjedhor dhe rëndësinë e votimit nga Abraham Lincolnit kur thotë: “Vota është ma e fuqishme se plumbi. Me plumb mund të vrasësh armikun tënd, kurse me votë të vrasësh të ardhmen e fëmijëve të tu…!”
Pas këtij mendimi të artë, nuk na mbetet tjetër të shtojmë vetëm të bëjmë thirrje për dalje sa më të organizuar në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të 21 qershorit për t’i votuar kandidatët tanë të mundshëm për parlamentin lokal dhe republikan. Suksese dhe mbarësi!/ Sevdail Hyseni