Futboll

Talenti shqiptar kërkohet nga Lyoni

Talenti shqiptar i AEK-ut të Athinës në radarin e gjigantit francez Lyon.
Një lajm i bujshëm vjen nga Greqia. Lyon kërkon të marrë talentin shqiptar, Gilberto Gega, që aktivizohet me U-17 e AEK Athinës. Janë mediat greke që raportojnë se skuadra franceze ka mbajtur në vëzhgim qendërmbrojtësin shqiptar, duke u bindur se është një talent me potencial të madh.

Sipas “Sportime.gr”, Gilberto Gega është një nga talentet premtues të skuadrës së AEK. Së fundi ai ka marrë dhe nënshtetësinë greke. Mbrojtësi i qendrës ka bërë deri më tani paraqitje të mira me AEK U-17.

Në ndeshjen ndaj rivalëve të Olympiakos, ndeshje që përfundoi në barazim, një skaut i skuadrës së Lyonit ka qenë në stadium për të ndjekur Gilberto Gegën, raporton gazeta greke.
Zil Rousse, skauti që ka qenë i pranishëm në stadium për të ndjekur talentin shqiptar, është bashkëpunëtor i Stephan Ross, trajnerin të U-19 të Lyonit. Skauti ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e lojtarit shqiptar, dhe ka krijuar bindjen se në verë do të jetë një goditje në merkato.

Futbollisti i talentuar pritet që në 24 prill të këtij viti të shkojë në Francë për t`u bashkuar me Lyon. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e qendërmbrojtësit të talentuar shqiptar, që për ironi deri më tani nuk është grumbulluar në asnjë nga ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë.