Surroi: Thaçi deshi të uzurponte të drejtën e negociatave siç ka uzurpuar sfera tjera të jetës
Veton Surroi thotë se pavarësisht marrëdhënies së kundërt mes Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, Kosova nuk do të ketë dy qëndrime në Samitin e Berlinit, në kuadër të raporteve me Serbinë.
Në një bisedë në Top Talk të TopChannel, publicisti Surroi thotë se presidenti Thaçi kur ka dhënë idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ka vepruar kokë më vete, pa përkrahje.
“Konfrontimi që ka pasur zoti Thaçi me zotin Haradinaj s’ka qenë vetëm me të, por me të gjithë tjerët në Kosovë sepse me shumicë është kundërshtuar ideja e zotit Thaçi. Ai ka menduar se ashtu siç ka uzurpuar sfera tjera të jetës, ekonomike e politike në Kosovë, mund të uzurpojë edhe të drejtën e negociatave për Kosovën”, deklaroi Surroi.
Për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Surroi thotë se ka mbetur “vetëm një besimtar i saj, quhet Hashim Thaçi”.
Sipas tij, ka një dakordim mes shteteve evropiane dhe SHBA-së për çështjen e Kosovës, dhe se Washingtoni nuk po tërhiqet, porse Serbia dhe Kosova janë përgjegjësi e kontekstit evropian dhe do të zgjidhen si të tilla.
“Është mirë që SHBA-ja përkrah këtë proces, janë garancë shumë e rëndësishme e sigurisë në rajon, posaçërisht për Kosovën. Mendoj se një dakordim i këtillë është i frytshëm”.
Taksa ndaj mallrave serbe, sipas Surroit, tregon abnormalitetin mes dy vendeve. “Një proces që është më mirë i menduar, më ambicioz, më i strukturuar, më inteligjent i negociatave, natyrisht se do ta zhvlerësojë taksën si të tillë”.
“Inkuadrimi më i fortë i Gjermanisë [në çështjen Kosovë-Serbi] është lajm i mirë. Është një lloj shënimi të epilogut të aventurave që u bënë me kufijtë e me çështjet që na morën një vit të tërë. Procesi Mogherini e ka konsumuar vetveten dhe po fillon një proces i ri dhe më duket se ky takim i Berlinit është për të anoncuar se fillon një zhvillim i ri politik në të cilin do investuar të gjitha palët mendjen, energjinë e kreativitinetin e tyre”, u shpreh publicisti Veton Surroi.
Ai thotë se rreziku i pjesëmarrjes në Samitin e Berlinit është se qëndrimi i Kosovës mund të mos jetë kreativ.
“Nuk besoj se do të ketë dy qëndrime. Kosova ka rrezik që të mos ketë qëndrim kreativ sepse gjithmonë është në mbrojtje, gjithmonë duhet të thotë që jemi kundër ndarjes, kundër kësaj, kundër asaj. Dhe forca negociatore e Kosovës, për fat të keq, është zhvlerësuar në masë të madhe nga zoti Thaçi, për akuzat ndaj tij për krim e të tjera. Por, edhe nga ana tjera nga ky animozitet që është krijuar ndaj ndarjes, ndaj idesë së këmbimit territorial”, deklaroi Surroi.
Surroi tha se situata politike në Shqipëri dhe në Kosovë është e ndryshme, është histori tjetër e zhvillimit të tranzicionit.
“Kosova është ende e ndikuar nga çështja e raporteve me Serbinë e cila në masë të madhe dominon edhe në çështjet tjera”, deklaroi ai.
Për çështjen e liberalizimit të vizave, Surroi tha se Kosova ka bërë gabime dhe është shfrytëzuar pozicioni i dobët i vendit në masë të madhe.
“Indikatorët nuk janë të mirë ndaj liberalizimit. E pamë edhe votimin e Holandës për Shqipërinë, që ishte lajm i keq për shqiptarët në përgjithësi. Duhet krijuar një mënyrë tjetër e komunikimit me bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi ai.
Sa u përket takimeve mes dy qeverive shqiptare, ai tha se në këto takime ka më shumë folklor sesa funksionalitet. “Për fat të keq kemi të bëjmë me dy shtete që nuk po tregojnë fuqi funksionaliteti të duhur. Problemi nuk është a do të komunikojnë Kosova me Shqipërinë, por a do të komunikojnë këto shtete me qytetarët e vet. Projektet funksionale kërkojnë aparate funksionale shtetërore, e që për fat të keq kemi gjithnjë e më pak edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”.
Surroi u shpreh pesimist në lidhje me një marrëveshje të mundshme kompromisi mes Kosovës e Serbisë këtë vit, por thotë se mund të arrihet një kornizë negociatash.
“Nuk besoj se do të ketë marrëveshje kompromisi këtë vit me Serbinë. Optimumi që mund të bëhet është që brenda këtij viti, Kosova dhe Serbia, me ndihmën e madhe të BE-së, të krijojnë një kornizë negociatash evropiane, kreative, që krijon hapësirë të lirisë mes dy vendeve dhe e cila çliron energjitë në të dy vendet. Nuk do të thotë se do t’i kemi këta liderë në pushtet për këtë marrëveshje”, deklaroi në fund të intervistës Veton Surroi.