Sulmohet sërish Policia kufitare në veri të Kosovës
Policia kufitare në veri është sulmuar sërish mëngjesin e sotëm në rrethana ende të paqarta.Dy shpërthime kanë ndodhur në Sharpej të Jarinjës.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët janë duke e trajtuar rastin.Sipas Policisë, dyshohet se këto sulme kanë ardhur nga territori i serbisë.Nuk raportohet për persona të lënduar.
Raporti i plotë:
Vetura e policisë sulmohet me mjete shpërthyese, dyshohet të jenë mjete piroteknike
Prishtinë, më 16 prill 2022
Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.
Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë.