Lajme

Stano: Policia e Kosovës po e heton situatën në Banjskë, Serbia të bashkëpunojë pa kushte

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka thënë se një nga prioritetet e BE-së është deeskalimi i situatës në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me zhvillimet e fundit në veri.

“Janë dy shqetësime kryesore: pra është sulmi terrorist dhe zbulimi i një sasie të madhe të armatimit në veri, kjo është shumë shqetësuese. Gjithashtu kemi vërejtur pozicionimin e ushtrisë serbe në linjën kufitare me Kosovën dhe kjo duhet të ndalet menjëherë. Nuk ka vend për ushtri dhe forcë. Krejt kjo duhet të ndalet. Ky ka qenë mesazhi i përfaqësuesit për politikë të Jashtme për të dyja vendet”, ka thënë ai.

Stano ka thënë se e kanë parë pranimin e Milan Radoiçiqit për pjesëmarrjen në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Sipas tij, të gjitha faktet duhet të hetohen, duke shtuar se presin nga Serbia bashkëpunim të plotë.

“Ne jemi duke bashkëpunuar me partnerë dhe po shkëmbejmë qëndrime me ta. Ne nuk po komentojmë se çka po sillet çdo ditë. Ne po presim hetim për çdo gjë. Bashkimi Evropian e ka thënë shumë qartë, se do të vendosë masa nëse vendet e BE-së vendosin që kanë mjaftueshëm fakte”, ka thënë ai.

Stano ka shtuar se hetimi është në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunojnë me EULEX-in.

Ka përsëritur se presin bashkëpunim të plotë nga Serbia – pa kushte.

“Ne duhet ta shohim pikturën e plotë të hetimeve. Nuk do të komentojmë qëndrimet personale, pasi Bashkimi Evropian do të përgjigjet unanimisht nga vendimi i të gjitha vendeve që përbëjnë unionin. Dialogu ka qenë aty për vjet, dhe prioriteti i BE-së është rikthimi në këtë proces. Po të kishte normalizim të marrëdhënieve nuk do të ndodhin këto që ndodhen”, ka thënë ai.