Shqipëri

“Zero shanse për azil”, Franca kthen mbrapsht 40 shqiptarë

Kërkesat për azil të shqiptarëve në vendet e BE kanë ardhur në rritje por po në të njëjtin trend janë edhe numrat e kthimit nga këto vende.

Prej janarit 2020 e deri sot janë riatdhesuar 808 shtetas shqiptarë një normë kthimesh rreth 19-20 në ditë.

Mesditën e sotme, nga Patrulla e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin, me anë të një fluturimi me charter, të nisur nga Lille në Francë, u riatdhesuan 40 shtetas shqiptarë, nga të cilët, 34 nga Franca dhe 6 nga Belgjika.

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë edhe një herë për të gjithë ata shtetas që udhëtojnë në hapësirën Schengen që të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil në Francë apo në çdo shtet tjetër të BE-së dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t’u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ”, thuhet në njoftimin e autoriteteve teksa theksohet se “Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero”. /opinion.al