Spahiu: Kosova duhet t’ia jep shtetësinë e Kosovës shqiptarëve në Serbi
Që prej disa vitesh, Serbia ka filluar që pa zhurmë për të mos thënë në mënyrë perverse, të bëj çregjistrimin e shqiptarëve në Komunën e Medvegjës, njërën nga tri komunat shqiptare që janë pjesë e shtetit serb, ku po bëhet pasivizimi i adresave, në vazhdën e trajtimit diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, transmeton “AFEDS”.
Spastrim etnik me mjete administrative. Kështu është konsideruar pasivizimi i adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në raportin e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi.
Në raportin e titulluar “Minoriteti shqiptar në pritje, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja si pengje të marrëdhënieve Serbi-Kosovë”, theksohet se pasivizimi i adresave ka për qellim zvogëlimin e numrit të shqiptarëve në këto komuna.
Nexhmedin Spahiu, në një intervistë ekskluzive për AFEDS, deklaroi se kjo çfarë po ngjanë në qytetet shqiptare në Serbi, është e patolerueshme në shekullin 21.
Sipas Spahiut, ajo çfarë është mëse e nevojshme në këtë situatë, është që përfaqësuesit politik shqiptarë të Serbisë, të jenë më të ashpër në raport me politikat që zhvillojnë politikanët në Kosovë dhe Shqipëri.
“Duhet të dalin seriozisht për të deklaruar se do t’i ngrijnë raportet me politikanët në Kosovë e Shqipëri, në qoftë s’ka dicka serioze ose konkrete në raport me situatën në fjalë, me këtë problem shumë akut të shqiptarëve në Serbi”, tha Spahiu.
Intervista e plotë si vijon:
AFEDS: Tashmë, gjithandej është ngre shqetësimi për pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, me theks të veçantë në Medvegjë. Atje, qytetarëve po iu hiqet e drejta për të jetuar ligjërisht në vendet e tyre. Cili – sipas jush – do të duhej të ishte veprimi i menjëhershëm i dy shteteve shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë për zgjidhjen e kësaj situate?
Spahiu: Reagimi i duhur i Shqipërisë dhe Kosovës, kishte me qenë me ngrit zërin në të gjitha forumet ndërkombëtare për këtë tendencë të Serbisë, respektivisht për spastrimin etnik të shqiptarëve në Medvegjë. Kjo është një gjë që është e pa tolerueshme çfarë po bën Serbia në shekullin 21. Unë e kam ndëgjuar në një konferencë për shtyp kur një gazetare e pyeti Edi Ramën për këtë çështje por ai u bë që, s’po kupton për çfarë po bëhet fjalë. Nuk mund të tolerohet kryeministri i Shqipërisë të bëjë sikur nuk di gjë për këtë problem.
AFEDS: Cili kishte me qenë porosia juaj, për politikanët shqiptarë në Serbi?
Spahiu: Mendoj që duhet liderët e Luginës në tërësi, të jenë më të ashpër në qëndrimet e tyre ndaj liderve politik në Kosovë dhe Shqipëri që nuk i mbrojnë të drejtat e shqiptarëve atje. Duhet të dalin seriozisht për të deklaruar se do t’i ngrijnë raportet me politikanët në Kosovë e Shqipëri, në qoftë s’ka dicka serioze ose konkrete në raport me situatën në fjalë, me këtë problem shumë akut të shqiptarëve në Serbi.
AFEDS: Për festën e pavarësisë së Shqipërisë, u mbajtë takimi ndërmjet dy qeverive shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë. Si e patë këtë takim dhe marrëveshjet e arritura si dhe marrëveshjet që do të vijojnë të arrihen në të ardhmen e afërt?
Spahiu: Në fakt, marrëveshjet të cilat u arritën ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishin në një mënyrë shumë poshtëruese për Kosovën, duke patur parasyshë se Shqipëria, marrëveshjet e këtilla ma përpara i lidhi me Serbinë. Albin Kurti o dorëzua para Ramës, që ishte një gjë tepër e pahijshme. Atë çfarë qeveria e Kosovës dhe qeveria e Shqipërisë që duhet të merren vesh është se si t’i mbrojnë interesat e shqiptarëve në Serbi, duke nis nga Lugina, deri në Sanxhak.
AFEDS: Shaip Kamberi, deputeti i Parlamentit të Serbisë, ka deklaruar se dhënia e pasaportave të Kosovës për shqiptarët në Serbi, është rrezik për shpërngulje, nga ana tjetër, Muharrem Salihu, aktivist politik nga Medvegja, mendon të kundërtën, që dhënia e nënshtetësisë, respektivisht dhënia e pasaportave të Kosovës për shqiptarët në Serbi, është mburojë për ta, le të themi është përkrahje konkrete që, është tepër e nevojshme në situatën në të cilën ndodhen.
Ju, ç’mendim keni për këtë?
Spahiu: Jo, unë mendoj se dhënia e pasaportave të Kosovës për shqiptarët në Serbi, nuk çon peshë në kuptimin e shpërnguljes, ngase pasaportat serbe janë më të vlefshme se ato të Kosovës, në kuptimin e qarkullimit. Kështu që, do t’i kisha dhënë të drejtë Muharrem Salihut, sepse të kesh pasaport të Kosovës, ndonëse përbën një gjë simbolike, ajo jep të drejtën e votës. Kjo, në njëfarë mënyre, njëllojë mekanizmi, nëpërmjet së cilës, shqiptarët mund të “kërcënojnë” në kuptimin positive politikanët në Kosovë, që të veprojnë seriozisht në raport me shqiptarët që jetojnë në Serbi. Siç është rasti me serbët e Kosovës, të cilët kanë nënshtetësinë e Serbisë, dhe janë një numër i konsiderueshëm votash që, mund të ndryshojnë politikat në Serbi, që njëfarë mënyre detyron politikanët serb në Beograd, të merren me serbët në Kosovë. Unë mbaj në mend kur kam qenë në Bujanoc, në fshatrat kufitare, i kam pa nëpër shtyllat të vendosun flamujt e Shqipërisë dhe askund flamurin e Kosovës. Mendoj se, përderisa shqiptarët në Serbi kërkojnë ndihmë nga Kosova, dhe mbajnë vetëm flamurin e Shqipërisë, është e padrejtë por edhe e pandershme. Ata duhet të kenë një sens konsiderate dhe, të mbajnë flamurin e atij vendi që përkujdeset më shumë për ta. Fjala vjen, Kosova, deri më tani, ka ndihmu shqiptarët që jetojnë në Serbi, më shumë se Shqipëria. Edhe pse prapëseprapë ndihmë modeste, por gjithsesi është fakt.
AFEDS: Pra, sipas jush, Kosova është dëshmuar me veprime konkrete me shqiptarët në Serbi, ndryshe prej Shqipërisë?
Spahiu: Kosova ka dhënë 500 mijë euro për shqiptarët atje. Për vitin e ardhshëm parashihet të jipen dhe 2 milionë euro. Gjithsesi, kjo ndihmë është prapë e vogël por Shqipëria ka ndarë shumë më pak. Ky është raporti i përkrahjes së Kosovës dhe Shqipërisë me shqiptarët atje. Përkrahja shprehet me vlerë e jo fjalë, me veprime konkrete. Duhet shtuar faktin se, edhe në bisedimet Kosovë – Serbi, megjithatë, Albin Kurti, ka përmendur me Vuçiqin, çështjen e të drejtave shqiptare në Serbi, ndërkohë që Edi Rama nuk e ka përmend asnjëherë. Edhe kjo është një veprim konkret. Kot e përmend ti në Tiranë ose në Prishtinë, por aty ku duhet. Vlerë ka kur përmendet në forumet ndërkombëtare dhe në takimet bilaterale në mes të Beogradit dhe Prishtinës ose Beogradit dhe Tiranës.