Kryesore

Sot bëhen 5 vite, kur Lugina e Preshevës votoi për Asociacionin e Komunave Shqiptare në Serbi

Përfaqësuesit politikë (shumica e partive pshqiptare) në Luginë të Preshevës kishin dhënë mbështetje unanime për deklaratën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Serbi.

Ky takim ishte takim i thirrur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, i udhëhequr nga kryetari Jonuz Musliu dhe është mbajtur në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Preshevë.

Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës vendosi sot në Preshevë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës.

Vendimin mbi themelimin e këtij asociacioni e votuan 43 këshilltarët shqiptarë, prej 74 sa numërojnë kuvendet komunale të Bujanocit, Preshevës e Medvegjës.

Vendimin e lexoi para të pranishmëve kryesuesi i seancës së KKSHLP-së, Jonuz Musliu, i cili më pas u aprovua unanimisht nga këshilltarët prezentë.

Musliu, njëherësh kryetar i Këshilit Kombëtar Shqiptar, e vlerësoi këtë ditë historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke thënë se ky rajon i banuar me shqiptarë është vendi më i diskriminuar në Evropë.

Në nenin e tretë të këtij vendimi thuhet se Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës do të ketë fuqinë e njëjtë juridike me Asociacionin e komunave me shumcisë serbe në Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit.

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, theksoi se “shqiptarët e Luginës së Preshevës dijnë të mblidhen dhe të sjellin vendime të këtilla sepse, siç u shpreh ai, për çdo ditë po e ndiejmë diskriminimin në lëkurën tonë”.

“Nëse vlejnë standardet për serbët e Kosovës, atëherë pse të mos vlejnë këto standarde edhe për shqiptarët e Luginës”, shtoi Mustafa, raporton Titulli.com.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, e vlerësoi këtë ditë shumë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Pas marrëveshjes së fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës erdhëm në përfundim që të miratojmë këtë dokument për një jetë më të mirë të shqiptarëve të Luginës”, tha Arifi.

Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës, Skender Destani, u shpreh se është kundër asociacioneve etnike dhe kundër marrëveshjes në Bruksel.

Pasi në kuvend nuk ishin prezent këshilltarët e PVD-së dhe UDSH-së, Destani këtë e vlerësoi si të papranueshme për partinë BDL që udhëheq ai, pasi, sipas tij, ky vendim është dashur të miratohet me konsensus, e jo me shqiptarët të përcarë.

Destani në vazhdim tha se presin nga autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri të thonë fjalën e tyre rreth këtij vendimi./titulli