Sinani reagon për aktoren Egzona Salihu e cila u largua nga puna në Shtëpinë e Kulturës
Ardita Sinani ka reaguar përmes një shkrimi për largimin e aktores Egzona Salihu, e cila sot është larguar nga puna në Shtëpinë e Kulturës, “Abdullah Krashnica”, në Preshevë
Se pushteti aktual në Preshevë çdo ditë e më shumë po kontribon me (mos)veprimet në stërkeqjen e situatës në çdo pore që prekë qytetarët tanë, e vërtetoi edhe rasti i sotëm.
Me keqardhje u njoftova sot se Shtëpia e Kulturës merrë vendim për ndërprerjen e marëdhënies së punës, aktores së vetme të Teatrit të Preshevës, Egzona Salihut.
Me arsyetimin se Egzona nuk ka respektuar disiplinën e punës!
Vendim ky i nënshkruar nga një drejtor që vetëm për kulturë nuk njihet. As të teatrit, as të komunikimit e të asnjë lloji tjetër.
Ju rikujtoj se është po i njejti drejtor, që i dirigjuar e komanduar nga kryetari aktual i Komunës së Preshevës, anuloi lejen për shfaqjen e filmave “Heshtja vret” dhe “I pabesi”, projekte këto që ishin mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Drejtori në këtë rast, me anulimin e lejes për shfaqjen e filmave u dëshmua “i disiplinuar” ndaj shefit.
Për shkak të së cilës “disiplinë” edhe u shpërblye me emërimin e tij si drejtor i Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë në një seancë të turpshme të mbajtur në 8:oo të mëngjesit ditë e diel.
Madje nga ekzaltimi, emërimin e tij për drejtor në një seancë të së dielës e krahason me seancën e Kuvendit Republikan të Maqedonisë së Veriut me pikë të rendit të ditës, njohjen e Republikës së Kosovës.
E me sa duket, Egzona Salihu nuk plotësoi kriterin e përmbushjes së një “disipline” të ngjashme.
Pra, Egzona refuzoi t’i nënshtrohet kërcënimeve e shantazheve për vendin e saj të punës.
E për këtë arsye sot asaj i paska ardhur Vendimi mbi ndërprerjen e marëdhënies së punës nga drejtori i Shtëpisë së Kulturës, e që përvoja e ka dëshmuar se i njejti vendimet i merrë nga porositë e shefit të tij. Kryetarit të Komunës së Preshevës.
Egzona Salihu sot e ka fatin që ka përballë njerëz shpirtligë, që nuk zgjedhin mjete për hakmarrje edhe ndaj një femre, ndaj një aktore të mrekullueshme.
Por ajo ka përkrah publikun Luginas. E së fundmi edhe atë mbarëshqiptar. Sepse rolet e saj në filma e shfaqjet e saj u duartrokitën kudo që performoi.
Ka përkrah të gjithë, sepse edhe përkundër mundësive të shumta që të angazhohet në teatrot e Republikës së Kosovës, Egzona zgjodhi Preshevën. Që këtu të jap kontributin e saj në zhvillimin e kulturës. Pavarsisht se shumë e vetdijshme që do të përballet edhe me njerëz të tillë që as njohuri elementare rreth kulturës nuk kanë.
Prandaj sot jam me Egzonën. Si aktore e dëshmuar. Si FEMËR!
E gjithashtu mbështes fuqishëm kurajon e saj që drejtësisë t’i shkoj deri në fund.
Deri sa individ të tillë që sot udhëheqin me Komunën e Preshevës e institucionet e saj ta kuptojnë që të qenurit femër në luftën për drejtësi, nuk është dobësi.
Përkundrazi, është përparësi!