LajmeTë fundit

Më 1 mars 2020 pritet të hyjë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore – MPJ gjermane hap zyrën për përshpejtimin e vizave

Më 1 mars të 2020-së pritet të hyjë në fuqi Ligji gjerman për Fuqinë Punëtore, i cili rregullon me detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ligjit, për herë të parë mund të vish në Gjermani edhe me një vizë gjashtë mujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë. Përveç kësaj të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të vijnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.

Ministria gjermane e Punëve të Jashtme me anë të një video ka treguar se ka hapur zyrën e re që do t’ju ndihmojë aplikuesëve që ta marrin një vizë më të shpejtë.

Deri më tani disa qindra mijëra punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shkuar në Gjermani të punojnë përmes Rregullores së Ballkanit të qeverisë gjermane.

Nga ekspertët ajo shihet si sukses i madh që po përmbush nevojat e tregut gjerman të punës.