Të fundit

Sinani reagon në lidhje me arrestimet e zyrtarëve komunal

Kryetarja e PVD’s dega Preshevë Ardita Sinani, ka reaguar në lidhje me arrestimet e ditës së djeshme të disa zyrtarëve komunal të Preshevës.

Sinani përmes një shkrimi në profilin e saj në FB, ka deklaruar se arrestimet e djeshme edhe një herë kanë dëshmuar një të vërtete që ne si PVD kemi ngritur zërin dhe shqetësimin për vjedhje, keqpërdorim të taksapaguesve të buxhetit komunal

“Të dashur qytetar, nuk i gëzohemi arrestimit të bashkëqytetarëve tanë të cilët u trajtuan dhe burgosën sikur të ishin kriminel ordiner, vetëm për të krijuar spektakël në kohë fushate, por keq përdorimi, zhvatja dhe vjedhja e buxhetit komunal duke mos pasur as ndjesinë më të vogël për gjendjen e rëndë të shumë familjeve në nevojë, të rinj, burra, gra, të moshuar, të sëmurë, jetimë, invalidë, të rritur dhe fëmijë me nevoja të veçanta, etj… janë akte të cilat kërkojnë llogari, e njollosin dhe turpërojnë këtë pushtet, duke e bërë atë të paaftë, jo legjitim dhe të padenjë për ta qeverisur Preshevën!”- ka shkuar znj.Sinani

Postimi i plotë pa ndërhyrje :

Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës,

Arrestimi i fundit i personave të afërt me kryetarin e Komunës, dëshmojnë edhe një herë ngritjen e zërit dhe shqetësimin tonë të përsëritura për vjedhje, keqpërdorim dhe katrahurën me paratë e juaja si taksapagues të buxhetit komunal!

Mentaliteti mashtrues dhe zhvatës i këtij pushteti të dështuar që po sakrifikon dhe vjedh ardhmërinë tonë të përbashkët, për hirë të disa militantëve të pangopur partiak dhe grupeve të interesit të lidhura me kryetarin e Komunës, është pasqyra e vërtetë e këtij pushteti të dështuar dhe mashtrues.

Ndryshimi dhe premtimet e dhëna në fushatë për t’i ndihmuar të varfërit, për punësime profesionale, për hapjen e fabrikave, hapjen e kufirit, hapjen e gjykatës, mirëqeverisje dhe transparencë, po dëshmohen si manipulime që kishin për qëllim vjedhjen dhe pasurimin e një grupi të caktuar të interesit në kurriz të një popullate!

Kryerja e punëve publike për përfitime private, duke pasur si qëllim primar vjedhjen dhe zhvatjen e buxhetit komunal janë pasqyra e vërtetë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti!
Nuk kemi pritur që Shqiprim Arifi si ideator dhe nxitës i këtyre akteve të distancohet, por heshtja e tij flet edhe më shumë. Tashmë po përsëriten çdo herë e më shumë dyshimet për aferat korruptive të Shqiprim Arifit!

Diçka nuk po të dëgjojmë? Ku je strukur Shqiprim Arifi?

Por, më befasuese është heshtja e partnerit të koalicionit, z.Sami Salihu, i cili me ose pa vetëdije, me shumë qetësi dhe në heshtje po bëhet palë, duke mbajtur gjallë një pushtet manipulues, zhvatës e të korruptuar!

Të dashur qytetar, nuk i gëzohemi arrestimit të bashkëqytetarëve tanë të cilët u trajtuan dhe burgosën sikur të ishin kriminel ordiner, vetëm për të krijuar spektakël në kohë fushate, por keq përdorimi, zhvatja dhe vjedhja e buxhetit komunal duke mos pasur as ndjesinë më të vogël për gjendjen e rëndë të shumë familjeve në nevojë, të rinj, burra, gra, të moshuar, të sëmurë, jetimë, invalidë, të rritur dhe fëmijë me nevoja të veçanta, etj… janë akte të cilat kërkojnë llogari, e njollosin dhe turpërojnë këtë pushtet, duke e bërë atë të paaftë, jo legjitim dhe të padenjë për ta qeverisur Preshevën!

Me respekt!
Ardita SINANI