Të fundit

Sinani fton qytetarët e Preshevës për betejën e radhës, “betejën për t’ia rikthyer Komunën e Preshevës, qytetarëve të saj!”

Këshilltarja e kryeministrit Kurti, për Luginë, Ardita Sinani falënderoi të gjithë qytetarët të cilët morën pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit në Serbi, pëcjell Ministria e Lajmeve

“Me 17 dhjetor, qytetarët tanë i dhanë vlerë e rëndësi çdo vote shqiptare në Luginë, në këto zgjedhje ku ata me votë i dhanë të drejtë vetëm një kursi politik”- ka shkruar Sinani.


Sinani tutje ka thënë se ajo që bie në sy, në mes tjerash, është rezultati shumë i dobët i listës së Alternativës për Ndryshim të Shqiprim Arifit dhe Lëvizjes për Reforma të Sami Salihut. I pari kryetar në detyrë i Komunës, e i dyti i Kuvendit të shpërbërë.

Në fund këshilltarja e Kurtit, u ka bërë thirrje qytetarëve të komunës Preshevës për betejën e radhës, betejën pët t’ia rikthyer komunën qytetarëve të saj!

Postimi i plotë :



Të dielën e 17 dhjetorit në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, e në një numër të caktuar edhe ato lokale.

Për Luginën këto zgjedhje ishin të një rëndësie jashtëzakonisht të veçantë, që nga pjesëmarrja e parë e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Por, ashtu siç në momentet vendimtare Luginasit dëshmojnë kulturë e vetëdije të lartë demokratike, edhe e diela që shkoi dëshmoi një fakt të tillë.

Pjesë e garës për zgjedhje parlamentare nga Lugina ishin dy lista: njëra që BETEJËN e LUFTËN e kishte fokusuar ndaj Beogradit dhe politikave diskriminuese shtetërore të Serbisë, e lista tjetër fokus të listës së saj politike në këtë garë kishte luftën ndaj subjekteve politike shqiptare, e veçanërisht “përfshirjen” sipas tyre të Republikës së Kosovës në Luginë, por asnjëherë politikën shtypëse të Beogradit.

Njëra listë për BETEJËN e saj kërkonte ndihmën dhe përkrahjen e qytetarëve shqiptarë në njërën anë, e koordinimin e bashkërendimin me Prishtinën e Tiranën.

E lista tjetër në luftën e saj ndaj kundërshtarëve të vet, që asnjëherë nuk ishin Beogradi e politika diskriminuese shtetërore e Serbisë, kërkonte ta bëjë përmes thirrjes për bojkot e për distancim nga Republika e Kosovës.

Me 17 dhjetor, qytetarët tanë i dhanë vlerë e rëndësi çdo vote shqiptare në Luginë, në këto zgjedhje ku ata me votë i dhanë të drejtë vetëm një kursi politik.

Kursit politik të ngritjes së zërit ndaj shtypjes, diskriminimit e shkeljes së të drejtave elementare të njeriut, e bojkotoi vetëm ata që ftuan për bojkot.

Ajo që bie në sy, në mes tjerash, është rezultati shumë i dobët i listës së Alternativës për Ndryshim të Shqiprim Arifit dhe Lëvizjes për Reforma të Sami Salihut. I pari kryetar në detyrë i Komunës, e i dyti i Kuvendit të shpërbërë.

Edhe ashtu të pa legjitimitet politik, që nga kontrabandimi i pushtetit e sidomos nga 25 tetori kur nuk arritën për 3 muaj të mbajnë seancë, me rezultatet e fundit në zgjedhjet parlamentare të së dielës së 17 dhjetorit, Sh. Arifi e Sami Salihu morën shuplakën më të rëndë nga qytetarët e Komunës së Preshevës.

Me vetëm 940 vota në Komunë të Preshevës, e drastikisht më pak në Bujanoc e Medvegjë, ishte sinjali më i qartë i sovranit Preshevar që ky binom i dëmshëm politik, nuk ka fare legjitimitet që t’i prijë asnjë procesi politik të Preshevës në përgjithësi, e të Luginës edhe më pak.

Duke qenë se edhe në këto zgjedhje këto dy subjekte garuan me forca të përbashkëta, edhe dështimi që mbetën me vetëm 940 vota në Komunën e Preshevës, nuk dihet cilit i takon më shumë.
Subjektit që kërkoi patericë dhe arriti të sigurojë një të tillë për të kontrabanduar pushtetin, apo subjektit që vullnetarisht pranoi të jetë patericë e atij që e quajti si të tillë.

Si do që të jetë, do të mbetet dështim!

Prandaj, sot në mesin e këtyre dy subjekteve, APN e LR, në rrethana normale do të duhej të reflektonte nevoja e domosdoshme për llogaridhënie për rezultatet e dobëta, e rrjedhimisht të njejtit të kërkojnë të rilegjitimohen nga qytetarët.

Por, duke qenë skeptike në mundësinë e parë, unë ftoj të gjithë qytetarët e Komunës së Preshevës, që nga nesër të fillojmë BETEJËN e rradhës.

Betejën për t’ia rikthyer Komunën e Preshevës qytetarëve të saj!