Sinani falënderon Qeverinë e Kosovës për ndarjen e 1.571.319 euro, për Luginën e Preshevës
Këshilltarja e kryeministrit Kurti, Ardita Sinani, përshëndeti vendimin e miratimit të Qeverisë së Kosovën për mbështetjen financiare ndaj studentëvs, OJQ-ve, artistëve nga Lugina e Preshevës, transmeton Ministria e Lajmeve
“Kjo mbështetje financiare dhe politike e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka rëndësi të veçantë, jo vetëm nga shkaku se është më domethënësja ndonjëherë në kuptimin e shumës financiare, porse është dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit legjitim institucional të Republikës së Kosovës për shqiptarët në Serbi”- ka shkruar Sinani.
Postimi i plotë :
Urime!
Sot, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi vendimin për mbështetjen financiare të studentëve, organizatave joqeveritare, artistëve, individëve dhe shoqatave nga Lugina e Preshevës.
Grantet dhe bursat për studentët do të fillojnë së zbatuari nga janari 2023.
Përzgjedhja e kryer nga organi përgjegjës është bazuar në kriteret e arsyeshmërisë së buxhetit, kapaciteteve për zbatim dhe relevancës së projekteve.
Kjo përkrahje financiare e Qeverisë së Republikës së Kosovës i bashkohet kësisoj ndihmave paraprake, si sigurimi i librave në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës etj, në një vlerë të përgjithshme prej 1.571.319 euro për vitin 2022.
Përderisa regjimi autokratik i Republikës së Serbisë frymëzon destabilitetin duke nxitur, mbështetur dhe organizuar grupet kriminale; Qeveria e Republikës së Kosovës frymëzon stabilitetin dhe mbështet strukturat shoqërore në funksion të demokracisë dhe evropianizimit.
Natyrisht se problemet dhe nevojat e Luginës së Preshevës janë të mëdha, si pasojë e diskriminimit dhe shtypjes shtetërore.
Mirëpo, kjo mbështetje financiare dhe politike e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka rëndësi të veçantë, jo vetëm nga shkaku se është më domethënësja ndonjëherë në kuptimin e shumës financiare, porse është dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit legjitim institucional të Republikës së Kosovës për shqiptarët në Serbi.
Bashkërendimi i Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës është jo vetëm interes i ndërsjëllë, por edhe rruga e duhur për më shumë liri, drejtësi dhe zhvillim.
Do ta thellojmë këtë bashkërendim në të ardhmen për projekte të reja.
Vazhdojmë bashkë.