Sinani e Mustafa në takim tek Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd
Sot në Beograd po qëndrojnë kyetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e shoqëruar nga zëvendësi i saj, Ragmi Mustafa, me ç’rast janë takuar me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj.
Në lidhje me këtë takim Sinani ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, në të cilin mes tjerash ka shkruar se Canaj ka ofruar mbështetje të fortë për Luginën.
Në vazhdim ju sjellim njoftimin e plotë të Sinanit të publikuar në rrjetin social Facebook:
Sot pata kënaqësinë të vizitoj Ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe të takoj Ambasadorin e nderuar, z. Bardhyl Canaj. Në këtë takim të veçantë, i shoqëruar nga zëvendës Kryetari i Komunës, z. Ragmi Mustafa, dhe shefi i kabinetit të Kryetares, z. Besim Shabani, mora urimet e përzemërta për zgjedhjen time si Kryetare e Komunës së Preshevës.
Ambasadori Canaj ofroi mbështetje konkrete për komunën tonë në një sërë fushash, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit për zhvillimin e Preshevës. Kjo ndihmë vjen në një moment të rëndësishëm për ne, teksa vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe për avancimin e projekteve të shumta që kemi në plan.
Mesazhi i Ambasadorit Canaj ishte jashtëzakonisht domethënës: “Ne jemi në Preshevë edhe kur nuk gjendemi fizikisht atje.” Këto fjalë përfaqësojnë angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për të qenë pranë nesh, për të na mbështetur dhe për të siguruar që zëri i Preshevës të dëgjohet gjithmonë.
Ky takim është një tregues i qartë se bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Preshevës dhe institucioneve shqiptare do të vazhdojë të jetë i fortë dhe produktiv, duke synuar zhvillimin e përbashkët dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar./preshevapress