Lajme

Si u la pas dore Malësia e Bujanocit?

Shkruan: Driton Hyseni

Kjo shtëpi, e cila nuk duket si e tillë, ka qenë shtëpia e prindit tim dhe e gjyshërve të mi. Kjo është njëra nga disa shtëpitë që përfaqësojnë fshatin Priboc, thënë ndryshe Malësinë e Bujanocit.

Të shkosh kah rruga e cila të qon drejt këtyre shtëpive nuk është e lehtë, e sidomos për dikë që merret me politikë. Sepse, të dalësh atje me këpucë lëkure e me këmishë, nuk do kthehesh pa u bërë pis. Banorët e mbetur atje nuk e njohin modën, jo që nuk e respektojnë, por për ta moda nuk simbolizon asgjë!

Malësia e Bujanocit në 18 vitet e fundit ka qenë cak i dy skenareve për t’u zbrazur në përgjithësi.

Nga njëra anë prej pushteteve qendrore, të cilët i kanë larguar dhunshëm e me metoda diskriminuese banorët shqiptarë nga ajo pjesë, e vazhdojnë t’ia pasivizojnë adresat atyre, ndërsa nga ana tjetër prej pushteteve të njëpasnjëshme lokale, të cilët karshi votuesve të vetë nuk kanë qenë transparent.

Malësorët shpesh kanë qenë të diskriminuar në punësim e jo vetëm. Ata gjithashtu kanë qenë cak i fyerjeve në bazë të dinjitetit e edukimit (duke u quajtur “malok”). E mos të flasim për investime, për t’i rikthyer banorët në atë pjesë.

Kanë kaluar 18 vite dhe shumica e atyre banorëve janë zhvendosur në perëndim, e të shumtë janë ata që janë gati për t’u larguar edhe nga Kosova. Andaj asaj zone, e cila po ta ecësh në këmbë, të ngjanë si një xhungël, nuk ka kush t’i dal zot, e sidomos jo më ata që nuk iu kanë përmbajtur zotimeve. Nuk mundet askush më t’i rikthej banorët atje. Nuk i rikthen dot një rrugë (e cila nuk të jep për të ngrënë).

Banorët shpresojnë ende për rrugën, kurse këta thonë se po t’ia rregullonim rrugën do t’ia humbnim shpresat. S’do të kishim vota më!

Banorët të thyer e të fyer, shpesh janë edhe naivë, nuk e kuptojnë asnjëherë se rruga nuk është asgjë veçse kalimi në një fazë më të rëndë jetësore. Ajo nuk e zbutë dot varfërinë! Mirëpo, kështu nuk janë pushtetarët, ata e shfrytëzojnë një investim të tillë prej vitesh, për të ardhur në pushtet. Ngacmojnë në çdo palë zgjedhje, nervin më të dobët të banorëve, shpresën e vetme të tyre, rrugën!

Malësia ka vetëm një mundësi! Ajo mund të kthehet në zonë turistike (të cilën assesi nuk e duan pushtetarët që janë të mbërthyer nga fryma lokaliste). Shtëpitë e rrënuara të mbrohen nga komuna për t’mos u zhdukur komplet e të mbesin dëshmi se këtu dikur kanë jetuar shqiptarë, të cilët ishin cak i dy pushteteve, e të cilët nuk mundën t’i bënin rezistencë asnjërës.

Banorët u larguan, e nuk u kujdesën dot për tokat e pronat e tyre, e ato ia kanë lënë në dorë natyrës e cila ua dhuroi mrekullitë, mirëpo “ata” nuk i lejuan t’i shfrytëzonin ato.