“Shqiponja e Xhakës”, u zgjodh si fotografia sportive e vitit në Zvicër
Për fotografinë më të mirë nga gazetaria sportive është shpërblyer Laurent Gillieron, i cili ka përjetësuar Granit Xhakën duke bërë shqiponjën.
Është bërë dje ndarja e çmimeve “Swiss Press Photo Award 2019”, për fotografitë më të mira gazetareske të realizuara gjatë vitit 2018. Një juri e formuar nga fondacioni Reinhardt von Graffenried ka bërë nominimin e fotografive pretenduese për çmim, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch
Në kategorinë e fotografive nga aktualiteti, çmimin e ka fituar Stefan Bohrer me fotografinë nga një shpërthim i madh i zjarrit në portin e lumit Rajna në Bazel. “Kjo fotografi është edhe një citat vizuel për një klasik të fotografisë gazetareske”, ka thënë anëtari i jurisë, Koni Nordmann. Ai e ka vënë këtë fotografi në lidhje me atë të fotografit Thomas Hopeker, i cili ka fotografuar një grup të rinjsh që po kënaqeshin derisa në prapavijë po digjeshin kullat binjake (në Nju Jork, 11. 09. 2001).
Për fotografinë më të mirë nga gazetaria sportive është shpërblyer Laurent Gillieron, përcjell albinfo.ch. Ai ka bërë fotografinë e famshme në të cilën Granit Xhaka pas shënimit të golit kundër Serbisë në Botërorin 2018 në Rusi “e bën shqiponjën” dhe nxjerr gjuhën jashtë.
Kjo fotografi është bërë e njohur shumë shpejt në gjithë botën ndërsa veprimi që pasqyron ajo, në Zvicër i ka shkaktuar kokëçarje të madhe Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit dhe gjithë komunitetit shqiptar të këtushëm.
Të kujtojmë se fjala “Dopperladler” (Shqiponja dykrenëshe) që i referohet gjestit të bërë nga Xhaka, Shaqiri dhe bashkëlojtari i tyre, Lichtsteiner, vitin e kaluar ishte zgjedhur edhe si “Fjala e vitit 2018” në Zvicër.